Çfarë e mundon Flamur Golemin, që nuk shkruajti dy rreshta për Irsën e shkretë?

Jugulajm.net
5 Min Read

Kjo pyetje bren qytetarët e Gjirokastrës, të cilët janë “sulur” me komente në shkrimin e djeshëm, që vinte në dukje mungesën e reagimit publik të kryebashkiakut gjirokastrit, Flamur Golemi, për humbjen e jetës së Irsa Muçollarit, 17 vjeçares fatkeqe, që u vetëvar tre ditë më parë.

Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës për nga natyra e tij mundohet të jetë “trendy” në rrjetet sociale por dhe uniform.

“Trendy”, sepse kujton se ecën me hapin e “inteligjencës artificiale” dhe uniform, pasi nuk del jashtë “tagjisë” që i jep Kumbaro dhe Rama. Në fakt kjo e fundit është zgjedhja e tij dhe askush nuk e gjykon askënd për zgjedhjet që bën.

Por si kryetar i një bashkie që po firoset përditë nga njerëzit, e ka më të lehtë të menaxhojë të gjithë strukturën urbane të kësaj popullate, që luks të vetëm ka atë rini që i mbetet këtu pas të 20-ave.

Ngjarja tragjike që ndodhi tre ditë më parë në qytet, pikëlloi të madh e të vogël. Mijëra mesazhe, komente kanë ecur “shtëllungë” në rrjetet sociale, pjesë e të cilës është dhe Fun Page ynë në FCB.

Kryebashkiaku i Gjirokastrës për rastin në fjalë, sikurse e shkruajtëm një ditë më parë, nuk e pa të udhës të ulej dhe në Iphon-in e tij të shkruante dy rreshta ngushëllimi për Irsën e gjorë, vetëm dy jo tre. Nuk themi për Mirelën se ajo është e ardhur dhe siç ka ardhur, ashtu do iki më 11 maj, por për këtë Flamurin tonë, që nuk i bëri dora dhe zemra.

Përse vallë nuk shkruajti dy rreshta ngushëllimi në faqen e tij?

Çfarë kompleksi ka ky person që është mjek dhe emancipimi human është parësor në raport me çdokënd tjetër, që ka një diplomë në xhep?

Kush e pengoi atë që përcillte një mesazh, qoftë dhe të thatë ngushëllimi, jo për Irsën se mbase nuk e ka dhembshurinë dhe nuk e ka provuar (kurrë mos e provoftë), që të kesh fatin e zi që të humbësh një fëmijë.

Po Flamuri o njerëz nuk lë asgjë pa komentuar, shpërndarë dhe postuar nga eventet lokale, rajonale e kombëtare, ndërsa për Irsën asnjë gërmë e jo më 1 rresht.

Ku t’a ketë hallin vallë?

Duke dashur të besojmë se Golemi nuk merret me ngushëllime online, shfletuam të gjithë historikun e postimeve të tij në FCB dhe papritmas ndër mesazhet me “lot e lule” për raste të tilla, veçuam vetëm tre që kanë të bëjnë me persona të thjeshtë të rastësishëm që patën humbur jetën në tragjedi.

Sikurse mund t’i shikoni në foto, bëhet fjalë për dedikime hartimi për tre raste për persona, të cilët kanë humbur jetën në aksidente rrugore dhe një çifti që u dogj më 5 gusht të 2021 në fshatin “Asim Zeneli”.

Mirë ka bërë që u ka dedikuar mesazhe jo të vogla ngushëlluese familjarëve të viktimave, pasi kjo e lartëson figurën e një drejtuesi të nivelit vendor. Por sërish pyetja që ngremë është ajo në nisje: Çfarë e mundon Flamur Golemin që nuk shkruajti dy rreshta për Irsën e shkretë?

Vallë nuk e meritonte kjo zemër e vogël? Thonë se ishte në varrimin e saj. Po e marrim të mirëqënë, pasi kryebashkiakët e Gjirokastrës e kanë bërë traditë prej 20 vitesh, që nuk lënë ksolle pa shkuar dhe kjo më shumë për përfitim politik, sesa për t’i shprehur ngushëllime të sinqerta. Por në rastin e Irsës, Flamur Golemi ka përdorur standart tjetër. Atë të heshtjes.

Heshtja tregon më shumë se gjithçka sa mund të hamendësohet.

Kjo heshtje është më e kobshme sesa gjëma e familjes Muçollari.

Kjo heshtje është “dekoratë” turpi për mjekun Golemi.

Kjo heshtje do të ketë pasoja tek vetë ai në rrafshin elektoral, pasi njerëzit sot nuk janë as të verbër dhe as budallenj si gomerët, ku i tredhte Dane Dharta dikur.

Kjo heshtje do të kthehet në një ndëshkim për këtë masë të madhe të atyre, që heshtin sot, por që nesër kur të çlirohen nga “tagjia” e pushtetit të Flamurit, do të thonë të njëjtat, sikurse kanë thënë për Zamira Ramin dhe Flamur Bimen.

Të njëjtin fat e pret dhe Flamurin në detyrë edhe për 24 muaj (nëse).

 

Share This Article