Naxhi Kasoruho: Ylli Asllani ish-kryetar i bashkisë që e do Gjirokastrën dhe gjirokastritët

Jugulajm.net
17 Min Read

Portret i pa autorizuar në memorien time

-Impresione-

Nga Naxhi Kasoruho “Mjeshtër i Madh”

Ishte viti 1955 kur fillova mësimet për muzikë në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Vija për herë të parë nga Gjirokastra dhe u befasova me hapsirën e madhe, rrugët e gjëra, shtëpitë e ulta dy katëshe, njerëz të shumtë që vinin me nxitim, sheshi i madh në mes të qytetit, sahati dhe xhamia aty pranë dhe rreth tyre godinat e ministrive që siç mësova më vonë i kishin ndërtuar italianët.

Ndonëse u hutova nga kjo pamje befasuese dhe ndryshe nga Gjirokastra, me valixhen në dorë u nisa nga qëndra drejt rrugës së Kavajës ku në fund të saj ndodhej Liceu Artistik. Si mbarova mësimet në Lice më 15 janar 1962 u hap në Tiranë Konservatori Shtetëror si shkolla e lartë e muzikës. Ishin 60 studentë që do të fillonin studimet në këtë Konservaor midis tyre edhe ata studentë që u kthyen nga vendet e demokracive popullore duke mos i përfunduar studimet si dhe nxënës, që kishin mbaruar studimet e mesme në Liceun “Jordan Misja”.

Po sjell në kujtesën tuaj disa nga këta studentë të parë të konservatorit si: Robert Radoja, Ferdinand Deda, Eno Koço, Feim Ibrahimi, Margarita Kristidhi, Limoz Dizdari, Gëzim Kaso, Vladimir Kapo, Kiço Dako, Vangjel Papamihali, Mira Gjoni, Shqipe Mingomataj, Malo Xhabiaku, Tasim Hoshafi, Fatmir Poçi, Siri Rozi, Alfons Balliçi etj. Midis tyre pata fatin të jem edhe unë në këtë ditë të parë të hapjes së Konservatorit Shtetëror të Tiranës dhe në qershor të vitit 1966 përfundova studimet dhe mora diplomën e Klarinetistit.

Pas përfundimit të studimeve u emërova në Gjirokastër si muzikant në Orkestën e Estradës Profesioniste të qytetit. Në atë kohë shef i Seksionit të Arsim- Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit ishte Prof. Myzafer Asllani një gjirokastrit i nderuar që kishte kontribut të vyer në zhvillimin e arsimit në qytetin e Gjirokastrës. Duke qënë edhe shef i kulturës Prof. Muzaferi interesohej dhe i kushtonte vëmendje veprimtarive kulturore, artistike si me trupat profesioniste, teatrin dhe estradën ashtu edhe me amatorët në Pallatin e Kulturës si: Bandën Muzikore, Ansamblin Artistik, Festivalin Folklorik etj.

Në detyrën e dirigjentit të Orkestrës së Estradës së qytetit merrja pjesë në takime të ndryshme që z. Myzafer organizonte me drejtues të institucioneve kulturore dhe artistë të kualifikuar në profile të ndryshme të artit ku gjithmonë shprehte preokupacionin, vëmendjen dhe mbështetjen për t’i realizuar të gjitha veprimtaritë me nivel të lartë artistik.

Në atë kohë në Gjirokastër ishte një grup i vogël artistësh që kishin mbaruar studimet në Tiranë në degët, muzikë, teatër, pikturë, letërsi që punonin në Gjirokastër si: Bernard Kokalari, Viktor Zhusti, Roland Çene, Jorgo Roza, Bukuroshe Kokalari, Jorgo Kokalari, Panajot Vasili, Ksenofon Kostaqi, Bekim Harxhi, Stavri Çati etj, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e artit dhe kulturës. Të gjithë këta artistë dhe lëvizja amatore në gjithë rrethin patën mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin maksimal të Prof. Myzafer Asllanit. Profesor Myzaferi ishte nga të parët intelektualë e pedagogë matematike në Jug me arsim të lartë mbaruar pas luftës! Ndërkohë në vitin 1940 kishte kishte mbaruar shkollën Normale në Elbasan, ku kishte mësuar krahas mësuesisë të luante edhe në violinë, mandolinë dhe pikturë. Ishte vazhdimi i një tradite të Normales së  mirënjohur, ku kanë mësuar të luanin në violinë shumë nxënës që më vonë u bënë muzikantë të shkëlqyer në trashëgiminë tonë kombëtare. Sa për ilustrim në kujtesë të publikut po përmend dirigjentin e mirënjohur “Artistin e Popullit” “ Nderi i Kombit” Prof. Mustafa Krantja.
 

Pas çlirimit ai do të ishte një ndër organizatorët e bandës muzikore të qytetit dhe organizimit të kurseve të violinës në shtëpinë e pionerit! ! Këtë njohje me violinën dhe muzikën Prof. Myzafer Asllani e tregonte me interesimin dhe mbështetjen që na jepte ne gjithë artistëve në realizimin e veprimtarive  që zhvilloheshin në atë kohë.  Në cilësinë e  shefit të arsimit dhe të kulturës, krahas hapjes së shumë shkollave në rreth ai ju përkushtua dhe u bë inisiatori i organizimit të Festivalit të Parë Folklorik Kombëtar në vitin 1968 në kalanë e Gjirokastrës! Kurse në vitin 1971 Prof. Muzaferi do të ishte protogonisti kryesor i hapjes dhe drejtimit të Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, studentët e të cilit përhapën dijen, shkencën dhe kulturën qytetare në krejt vendin!

Kalon koha dhe pas 30 vitesh do të filloja ose do të vazhdoja marrëdhënien me pasardhësin e Prof. Myzaferit me djalin e tij Ylli Asllani.

Ylli Asllani kishte vite që kishte filluar punën si inxhinier mekanik në Uzinën Metalike në Gjirokastër për prodhimin e çadrave, rubinetave, lugëve e pirunëve të njohura për cilësinë e tyre në mbarë vendin. Në atë kohë lëvizja artistike kishte marrë një zhvillim pozitiv dhe përveç shfaqjeve të Estradës Profesioniste që gjallëronte jetën artistike në qytet edhe Banda Muzikore jepte koncerte herë pas here në sheshin e Çerçizit. Kaluan vite deri sa erdhi viti 1990 ku nisi ndërrimi i sistemit komunist në atë demokratik. Në vitin 1991 Ing. Ylli do të zgjidhej me votat e puntorëve drejtori i Uzinës Metalike për armaturat Hidrosanitare!

Ylli e mbështeti këtë ndryshim demokratik dhe fillimisht u zgjodh nga lista e demokratëve Këshilltar i Bashkisë Gjirokastër, pastaj Sekretar i Këshillit të Bashkisë dhe në vitin 1996 kandidon për kryetar i Bashkisë Gjirokastër i propozuar dhe mbështetur nga Partia Demokratike. Fitorja e tij me 57% në balotazh në një qytet thellësisht të majtë ishte sinjali i dominimit të vlerave njerëzore e qytetare para atyre partiake!  Nga viti 1992 ku në krye të Bashkisë u zgjodh Bashkim Fino si kryetar i parë në sistemin pluralist demokratik e deri më sot e drejtuan këtë bashki këta kryetarë: Bashkim Fino, Ylli Asllani, Murat Kaçi, Flamur Bime, Zamira Rami dhe sot është Flamur Golemi.

 

Në pozicione të ndryshme të punës time në insistucionet kulturore- artistike në Gjirokastër kam patur marrëdhënie shumë të mira me të gjithë kryetarët pavarësisht se cilit krahu i përkasin. Ndihmesa dhe mbështetja e tyre për artin dhe kulturën në këtë rajon të jugut si vlerë dhe kontribut në trashëgiminë tonë ka qënë mjaft pozitiv, e ndjeshme dhe mbështetëse n[ trashëgiminë e  qytetërimin gjirokastrit.

Pa dashur të ndalem në hollësira e detaje në portretizimin e secilit nga kryetarët e bashkisë  në mbi 3 dekada të aktivitetit të tyre shpreh vlerësime dhe respektin tim të veçantë për gjithëçka që kanë bërë në zhvillimin dhe përparimin e qytetit.

Por këtë shkrim ja dedikoj z. Ylli Asllani me të cilin kam patur një bashkëpunim më të ngushtë si rezultat edhe i rrethanave të krijuara. Ishte viti 2000 kur pas 12 vitesh Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do rikthehej në kalanë historike të qytetit, mbasi në vitin 1995 ky manifestim madhështor i artit tonë me vendimin e Qeverisë së asaj kohe do të zhvillohej në qytetin e Beratit.
 

Si pjesëmarrës dhe udhëheqës artistik në këto festivale u pezmatova shumë dhe kundërshtinë e këtij vendimi e shpreha në organizimin e një lëvizje ku bënin pjesë intelektualë, artistë popullor dhe qytetarë të shumtë gjirokastritë që ishin kundër këtij vendimi dhe kërkonin kthimin e këtij festivali në kalanë historike ku dhe filloi ky manifestim i folkut tonë.

Janë të shumta takimet dhe kërkesat për kthimin e Festivalit në Gjirokastër për të cilat kam shkruar gjerësisht tek libri im “Gjirokastra në sytë e mi”, ku janë edhe letrat e botuar në gazeta që i jam drejtuar ministrave të kulturës znj. Arta Dade dhe z. Edi Rama, zyrës së OSBE-s në Gjirokastër dhe z. Skënder Gjinushit, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë si reagime të drejta jo personale por shprehje e interesit të opinionit publik dhe artistëve të shumtë që kanë kënduar e vallëzuar në ato podiume madhështore në sofrën e këngës dhe panteonin e trashëgimisë kulturore.

Për kthimin dhe organizimin teknik të FFK në Gjirokastër institucionalisht u angazhua drejpërdrejt Kryetar Bashkisë Ylli, i cili në krye të një grupi pune realizoi veç të tjerash edhe sensibilizim ndërkombëtar për rikthimin e FFK në Gjirokastrën. Ai ja doli të fitonte të drejtën që qyteti i festivalit të përcaktohej me konkurs… Në këtë garë Gjirokastra fitoi 150 pikë dhe pas tij u renditën Durrësi, Berati me më pak se 50 pikëSipas Z. Ylli përtej faktit arkitektonik dhe traditës, libri për historinë e festivaleve shkruar nga unë në shqip e anglisht, si dhe fondet e shumta të donatorëve të mbledhur prej tij ishin armët më të forta para kësaj jurie me profesorët më të mirë të etnofolklorit shqiptar të udhëhequr prej Afërdita Sokolit, Ramazan Bogdanit, Roland Cene, Ermir Dizdari etj!
 

Në këtë rikthim të festivalit pata fatin që të jem udhëheqës artistik i grupit popullor që do të përfaqësonte Prefekturën e Gjirokastrës në këtë festival. Pavarësisht se ky grup përfaqësues drejtohej nga Prefektura,  z. Ylli si kryetar i Bashkisë do të angazhohej tërësisht që ky aktivitet të realizohej me sukses siç edhe ndodhi dhe Gjirokastra u nderua me Kupën e Festivalit. Koncerti madh mirëseardhjes i realizuar nga bashkia me regjizor Ilir Llurin nuk është arritur të bëhet më!

Një ngjarje e veçantë ka qenë dhe themelimi i Fondacionit për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës. Kjo ishte iniciativë e tij dhe e  Prof. Agim Meros, bashkë me disa intelektualë gjirokastritë e personalitete të kulturës tonë si: Ismail Kadare, Farudin Hoxha, Luan Omeri, Arben Puto, Roland Cene, Moikom Zeqo, Muntaz Dhrami, Emin Riza, Jorgo Bulo, Naxhi Kasoruho, Ali Xhiku, Dalan Shapllo, Baftjar Dobi etj.

Historia e përfshirjes së Gjirokastrës në UNESKO është një nga kontributet më të shquara të Ylli Asllanit. Pregatitja prej tij e dosjes “ Gjirokastra SOS” me në krye Emin Rizën dhe arkitetët më të mirë të fushës, si dhe paraqitja e saj para trupit të gjithë ambasdorëve evropianë të UNESKOS në Tetor të vitit 1998 ishte zyrtarisht hapi parë dhe vendimtar në udhëtimin e sukseshëm të Gjirokastrës në pasurinë botërore të njerëzimit. Lobimi tij i mencur më tej me Kadarenë, Jusuf Vrionin dhe Ambasadoren Tatjana Gjoni ishte një model i diplomacisë kulturore!

Rreth qëllimit të pranimit në UNESKO atëhere u mblodh krejt bota kulturore gjirokastrite dhe vecanërisht Forumi për Mrojtjen e Gjirokastrës që shkroi në vitin 2000 nga ana e tij edhe një letër autoriteteve në UNESKO-s.

Jashtë modestisë ndjehem i nderuar edhe unë që të ulesha në këtë tavolinë prestigjoze dhe të dëgjoja fjalët e mençura dhe të kontribuoja modestisht në pasqyrimin, ruajtjen e vlerave të qytetërimit gjirokastrit si dhe sensibilizimin për ta përfshirë qytetin e Gjirokastrës në listën e trashëgimisë botërore që mbroheshin nga ky forum ndërkombëtar.

  1. Ylli Asllani i mbështetur edhe nga Kadareja duke lobuar në UNESCO arritën më pas të sjellin në Gjirokastër kryetarin e saj Z. Matsura, i cili u befesua nga pamja magjepëse e këtij qyteti. Në 15 Korrik të vitit 2005 u firmos vendimi për ta pranuar Gjirokastrën në mbrojtje nga UNESCO.

Po në vitin 2005 Ylli Asllani largohet nga Gjirokastra, për në Tiranë, me detyrën e Këshilltarit të Kryemistrit Berisha për qeverisjen vendore! Gjatë 8 viteve në këtë detyrë ai spikati për kujdesin ndaj cdo qytetari, vecanërish nga rajoni Gjirokastrës dhe në realizimin e shumë investimeve në këtë rajon. Në vitin 2013, kur Ylli  u emërua këshilltar i Presidentit z. Bujar Nishani mbështeti propozimin e disa institucioneve për t’u akorduar titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” disave si: Lefter Dilo, Tajar Kokalari, Sokrat Kalivopulli, Bernard Kokalari, Sotiraq Paskali, Sefedin Braho, Bashkim Ahmeti, Naxhi Kasoruho, Ilir Lluri, Arjan Shehu, Roland Cenko, Liljana Kumbaro e shumë të tjerë për kontributin në zhvimimin e kulturës dhe  të  trashëgimisë të qytetërimit gjirokastrit.

Më vonë në qershor 2018, Ylli Asllani vazhdon punën këshilltar i Presidentit Ilir Meta. Ai organizoi në kopshtin e Presidencës “Ditën e kulturës gjirokastrite” ku mbi 500 gjirokastritë ndoqën një aktivitet ku u ekspozuan 20 piktura me veshje popullore të rrethit të Gjirokastrës si vlerë e veçantë e kostumografisë kombëtare nga piktori i mirënjohur Stavri Çati. U shfaq dhe filmi dokumentar “Këngët e kafeneve” me skenar të Naxhi Kasoruhos dhe regji të regjisores Eli Bici, me pjesëmarrjen e veçantë të Mjeshtrit të këngës gjirokastrite Arjan Shehu dhe grupit polifonik “Ergjëria”. Ky aktivitet ishte i pari që organizohej në Presidencë dhe i pa përsëritshëm deri më sot.

Me inisiativën e tij ai vlerësoi shumë grupe e korifejve të folklorit, si dhe shumë intelektualëve, profesionistëve, apo krerëve të besimeve fetare të Jugut dhe gjithë Shqipërisë! E veçantë do të ngelet edhe organizimi i Ditës kulturore të Lazaratit në Presidencë që për shumë dekada konsiderohej tabu!

Ylli Asllani është një gjirokastrit fisnik që e do Gjirokastrën dhe gjirokastritët kudo që ndodhen dhe kurdoherë duke e patur këtë në qënien e tij dhe me obligimin se duhet vlerësuar dhe promovuar gjithçka, se ky qytetërim i lashtë është vlerë dhe kontribut në kulturën tonë. Dhe ne e kemi një shembull ku duhet të drejtohemi.

Ne na vjen mirë, po ashtu që dhe shumë qytetarë, artistë e specialist, si dhe rajone të mbarë vendit kanë gjetur tek Ylli mikpritjen, bashkëpunimin dhe përkrahje dashamirëse!

Në vitin 2000, para se të largohej nga bashkia Z. Ylli dhe ekipi tij realizoi në Sheshin e Çerçizit, në një bazoreliev të gurtë,  vendosjen e portreteve të Kadaresë, Çabejt, Musine Kokalarit e Vasil Laboviti si nderi i Gjirokastrës. Ishte ky gjest vazhdim i nje tradite të kahershme gjirokastrite…

Pasi në vitin 1938 gjirokastritët në qytet madje edhe ata që ishin në Amerikë mblodhën ndihma për të bërë monumentin e kapedan Çerçiz Topullit që “Mjeshtri i  Madh” i skulpturës shqiptare Odise Paskali e derdhi në bronx si vepra më e bukur e gdhendur nga dalta e tij.

Ne e duam Gjirokastrën dhe Gjirokastra i do të gjithë!

TAGGED:
Share This Article