Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka deklaruar sot gjatë një takimi me donatorët se këtë vit në fokus duhet të jetë mbështetja për Akademinë e Sigurisë, pasi është i vetmi burim për rienergjizimin e policisë.

Balla u shpreh se së shpejti do të miratohet ligji i ri për Policinë e Shtetit që ka në themel ristrukturimin e karrierës brenda Policisë së Shtetit dhe fuqizmin e burimit të punonjësve që duhet të vijnë nga Akademia e Sigurisë.

“Kur flasim për mbështetjen që duhet t’i japim Policisë së Shtetit kjo mbështetje është shumëplanëshe.

Një moment tjetër që do të kërkoj shumë fokus është mbështetja për Akademinë e Sigurisë. Kemi biseduar me Britaninë e Madhe, me SHBA-në, me qeverinë italiane, sa i përket mbështetjes për Akademinë e Sigurisë.

Do të mirëprisja forcimin e kapaciteteve të Akademisë, pasi është i vetmi burim për rienergjizimin e organizatës.

Do të miratojmë ligjin e ri për Policinë e Shtetit, që ka në themel ristrukturimin e karrierës brenda Policisë së Shtetit dhe fuqizimin e burimit të punonjësve që duhet të vijnë nga Akademia e Sigurisë”, u shpreh Balla.