Mungesa e krahut të punës ka reflektuar në braktisjen e plantacioneve të tëra të ullinjve në zonën e Bashkisë së Memaliajt.
Të rinjtë kanë kohë që kanë ikur dhe po ikin intensivisht. Në zonat rurale kanë ngelur të moshuarit të cilët nuk janë në gjendje të vjelin ullinjtë prej pemëve. Në zonën e Qesaratit dhe të Krahësit, me dhjetëra plantacione të mbjella me ullinj kanë ngelur të pavjelura. Mungesa e fuqisë punëtore është bërë shumë problematike. As pagesat ditore me 3 mijë apo 4 mijë lekë, nuk kanë stimuluar ata pak të rinj që gjenden me kokrra në këto zona. Të gjendur në kushte të tilla, fermerët e Krahësit dhe Qesaratit, kanë përveshur mëngët familjarisht duke angazhuar në vjeljen e ullinjve edhe ata pak të moshuar që kanë fuqi apo dhe amvisat. Vetë fermerët shprehen mjaft të shqetësuar me këtë situatë e cila ka kulmuar këtë vit.
Një problem tjetër që ndeshen fermerët e këtyre zonave është dhe çmimi i lartë i vajit të ullirit. Në fakt rritjen e çmimit e kanë diktuar fabrikat e prodhimit të vajit të ullirit të cilat trajtimin e 1 kv ullinj për t’a kthyer në vaj, e marrin me 900 deri në 1000 lek çka është gati 30% më shumë se vitin e kaluar. Kjo dhe rritja e çmimeve të preparative kimike, janë bazat për rritjen e padiskutueshme dhe të pashmangshme të vajit të ullirit. Nëse vitin e kaluar 1 litër vaj ulliri shitej me shumicë 450 lekë, sivjet ky çmim është dyfishuar. Budjan Kapa kryetari i Njësisë Administrative Qesarat, ka ngritur një tjetër problematikë në këtë drejtim. Atë të mungesës së rrugëve për tek plantacionet e ullinjve çka pengon penetrimin e mekanikës bujqësore për transportin e ullinjve.