Emisioni “Stop” ka siguruar sot një tjetër material filmik, ku në fakt mungojnë 3 orë. Gjatë ditës, edukatorja që qëllonte vajzën 3-vjeçare është shoqëruar në polici.
Saimir Kodra: Dua të kem një duartrokitje të madhe për Ministrin e Brendshëm, Taulant Ballën për qasjen e tij personale në këtë çështje.
Saimir Kodra: Mund të ketë ndodhur që këmba e fëmijës nuk është thyer nga një dhunë fizike. Mungon ajo hapësira filmike.
Gentian Zenelaj: Janë 3 orë që mungojnë në këtë pamje.
Saimir Kodra: Ndiqeni pak fëmijën që qan. A mund të ndodhë fëmija në gjumë të thyejë këmbën e tij?
Gentian Zenelaj: Jo, nuk e besoj vetëm po ra ndonjë suva nga lart.
Saimir Kodra: Unë nuk jam ortoped, por them që në gjumë nuk e thyen dot këmbën një fëmijë apo kushdo qoftë sepse trupi dhemb, dhe zgjohesh, reagon. Vetëm nëse i ka kaluar shenjtani sipër…
ORA 12:19 – Fëmijët përgatiten për të fjetur
ORA 12:21 – Vajza vendoset për të fjetur
ORA 15:04 – Vajza qan nga dhimbjet
Saimir Kodra: Pra, fëmija rënkon dhe qan. Këto pamje jua dhashë sot, jo për të ju rënduar gjendjen tuaj emocionale, por sepse për shkak të politikave të Youtube, kur të hidhen materialet nuk do të keni mundësi që t’i dëgjoni dhe nuk do e kuptoni dot se çfarë ka ndodhur.
Gentian Zenelaj: E trishtë të dëgjosh një fëmijë që qan.
Saimir Kodra: Ajo nuk qan, por rënkon sepse ka dhimbje. Por çfarë ndodhi? Ne nuk e dimë sepse mungon orari.
Lidhur me ngjarjen e rëndë, ka pasur sot shumë reagime. ”Stop” mësoi se në prokurori nuk ishte depozituar asnjë material, gjë që i kushtoi pezullimin shefit të Krimeve të Komisariatit Numër 1, Ylli Çako.
Saimir Kodra: Dje, u morëm me një moment tjetër të rëndësishëm, me Policinë e Shtetit. Shefin e Krimeve, Ylli Çakon, e takuam me kamera të fshehtë dhe tha se materialet i kanë kaluar prokurorisë, rrini të qetë. Më paftyrësinë më të madhe na ka gënjyer mbrëmë ky ish-Shefi i Krimeve. Donte që ta fshihte të gjithë historinë. Ky Ylli Çako duhet të bënte ndalimin në flagrancë. Duartrokitje për ministrin e Brendshëm që këtë tipin e pezulloi nga puna sepse nuk mund ta shkarkosh dot dhe do të hetojë të gjithë veprimtarinë e tij dhe së shpejti, ai le të gjejë ndonjë punë tjetër.
Regjistrimi i çështjes u bë vetëm sot. Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake mbylljen e menjëhershme të kopshtit, i cili pas verifikimeve rezultoi në paligjshmëri dhe i palicensuar.
Nisur nga skandali i transmetuar në emisionin “Stop”, Ministria ka ngritur një Task-Forcë me Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, dhe Inspektoriatet për kontrollin e plotë në territor të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimet parashkollore për fëmijë.
Edhe institucioni i Avokatit të Popullit reagoi për ngjarjen makabre ndaj 3-vjeçares në kopshtin privat “Stinët”. Me urdhër të Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, është ngritur një grup hetimor me punonjës socialë e juristë, për hetimin administrativ të rastit dhe për të monitoruar të gjitha veprimet e mosveprimet e institucioneve përgjegjëse shtetërore.
Në ambientet e kopshtit “Stinët” ishin sot edhe përfaqësues të bashkisë.
“Sapo kam marrë kontaktet e para me familjarët, por jo me prindërit e fëmijës. U informova nga inspektori i zonës që veprimet në polici janë kryer, inspektori i zonës më ka njoftuar se kanë shkuar në polici disa prej edukatoreve, drejtoresha. Po bëjnë ato veprimet e tyre.”
Në orët e pasdites, prindër e aktivistë protestuan për ngjarjen e rëndë, të publikuar në “Stop”.