Një i ri shqiptar i dënuar për vrasje me 32 vite burgim publikon shpesh video në internet dhe tanimë është kthyer në një personazh të rrjeteve sociale.

Sipas të përditshmes britanike Daily Mail, shqiptari Eugert Merizaj, shfaqet vazhdimisht live në TikTok nga qelia e tij në Britaninë e Madhe, ku i riu flirton me vajza dhe luan lojëra, pavarësisht se celulari nuk lejohet.

Mësohet se shqiptari po merr ‘dhurata’ virtuale përmes rrjetit social nga admiruesit, të cilat mund t’i këmbejë me para, kjo është një shkelje sigurie.

Sipas Daily Mail shqiptari ka pohuar se telefonin e tij e kishte marrë përmes një droni dhe e kishte fshehur atë brenda një tualeti, ku deklaron se “nëse zbulohet nga policët, thjesht do të blerë një tjetër”. Ai pretendoi se është telefoni i tretë që ai përdor në burg, secili i kushton atij 2,000 £.