Kryeministri Edi Rama njoftoi se nuk do ketë një mbledhje të përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, për shkak se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi një format të ngushtë mes kryeministrave, ministrave të Jashtëm dhe ministrave të Mbrojtjes.
Rama e pranoi se Kurti i kishte thënë se mbledhja duhet të mbahet, ndërsa më pas mund të ketë një takim mes tyre. Disa herë, Rama përsëriti se Albin Kurti mund të sanksionohet.
“Ky është një komunikim i jashtëzakonshëm, i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë. E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet ne kushtet e parashikuara. Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë europiane, Josep Borell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë, me një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes”.
“Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe veç të diskutojmë për këtë. Por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot.
Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, por unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur jemi në prag të vënies në lëvizje të planit që nuk ma zë as goja të flas për sanksione, të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata që qartësisht janë në kushtet e sosjes të durimit”, tha Rama.
Kryeministria e Kosovës deklaroi për News24 se, “mbledhja nuk është anuluar, gjithçka është gati në Gjakovë”. Reagimi vjen pas lajmeve në mediat kosovare se mbledhja e parashikuar nesër, më 14 qershor në Gjakovë është anuluar.
“Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sotshëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe uverturë për mbledhjen e nesërme”, deklaron zyra e shtypit e Kryeministrit Kurti për News24.