Arian Gosa është personi i cili u vra me armë zjarri këtë pasdite në Kavajë.

Sipas informacioneve të para, viktima ishte ulur në një lokal me të atin pranë shkollës ’24 Maji’, kur është qëlluar me plumb në kokë nga një person i maskuar.

Raportohet se persona të tjerë gjithashtu ndodheshin në lokal kur ndodhi vrasja.

“Rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A.G. Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Paraprakisht nga të dhënat e grumbulluara dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje”, njofton policia.

Arian Gosa është vëllai i Edmond Gosës, i cili u vra më 29 Mars, gjatë një konflikti po në Kavajë dhe dyshimet e para janë se krimi ka lidhje me këtë ngjarje.

Edmond Gosa i cili njihej edhe me emrin Armand Gosa mbeti i vrarë pas një konflikti me Sali Rexhën, i njohur po ashtu me emrin Altin Rexha.

Ngjarja në fjalë ndodhi në një lokal dhe dy 43-vjeçarët vranë njëri-tjetrin.

Gosa e goditi me thikë, ndërsa Rexha e qëlloi me armë.