Në zyrat e UnionNet që prej fillimit të javës, por edhe në zyrat e shërbimit postar, tashmë prej ditës së sotme,ka nisur zbatimi i rregullave të reja i përgjysmimit të masës së gjobës së makinave, nëse paguhet brenda afatit 15-ditor. Më herët, drejtuesit e mjeteve që paguanin një masë administrative brenda 5 ditësh, përfitonin 20% ulje. Tashmë me rregullat e reja, me ndryshimet e miratuara në Kodin Rrugor, nëse paguhet brenda 15 ditëve, vlera e gjobës do të paguhet me 50% ulje.
“Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, nëse arkëtimi i vlerës së gjobës nga kundërvajtësi bëhet brenda 15 ditëve nga dita që gjoba regjistrohet ose vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet me 50% të vlerës”, përcaktohet në Kodin Rrugor të ndryshuar.
Rregullat e reja që nga përgjysmimi i masës së gjobës për makinat nëse paguhet brenda afatit deri te zgjatja e kohës së vlefshmërisë së patentave nga 10-vjeçare në 15-vjeçare, rritja e shpejtësisë maksimale për të qarkulluar në autostradë deri tek ashpërsimi i gjobave nëse nuk zbatohet rregullat për fëmijët hynë në fuqi pas miratimit të ndryshimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, edhe Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor konfirmon se të gjitha nenet e Kodit Rrugor, që kanë të bëjnë me tagrin e DPSHTRR-së, kanë nisur të zbatohen që ditën e parë të hyrjes në fuqi të ndryshimeve.
Për lejet e drejtimit, afati i vlefshmërisë së tyre zgjatet me 5 vite. Konkretisht lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup-moshave, ishin të vlefshme për 10 vjet, nëse janë lëshuar për persona deri në moshën 50 vjeç; 5 vjet, për ata që e kanë kaluar moshën 50-vjeçare dhe 3 vjet, për ata që i kanë kaluar të 70-at.
Me rregullat e reja lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE sipas grupmoshave janë të vlefshme për 15 vjet nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç.
Për personat mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të parashikuara në pikën 2 të nenit 117 të këtij Kodi, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara.
Ndryshimet në Kodin Rrugor rrisin shpejtësinë maksimale të lejuar për të udhëtuar në autostradë nga 110 km/orë që ishte më përpara në 130 km/orë.
Burimi ‘Monitor’