Në një kohë kur qytetarët po përballen me rritjen e kostove të jetesës për shkak të krizave të njëpasnjëshme, administrata nuk kursehet në udhëtimet jashtë vendit.
Në vetëm 2 ditë, 25 institucione të vendit kanë hapur prokurime për biletave për udhëtime jashtë vendit dhe në total pritet të blihen 76 bileta.
Vetëm në datën 18 nëntor janë bërë 22 prokurime për bileta udhëtimi me destinacione të ndryshme, si në Belgjikë, Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Bullgari, Rumani, Marok dhe Armeni.
Ndërsa në datën 21 nëntor, deri në mesditë u hapën 5 tendera për fluturime me destinacione Belgjikë, Holandë, Austri dhe Spanjë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, destinacioni më i kërkuar nga administrata është inenerari Tiranë-Belgjikë-Tiranë me 11 fluturime në total.
Destinacioni i dytë që është kërkuar është Italia, e më pas Armenia dhe Greqia.
Në të gjitha prokurimet nuk janë specifikuar se sa do jetë kostoja për blerjes së biletave, pasi përllogaritet vetëm pas ofertave.
Por nëse i referohemi prokurimeve të mëparshme, një biletë avioni pa akomodim në hotel fillon nga 20 mijë lekë të reja.
Nëse 76 bileta do t’i llogarisim vetëm me çmimin minimal, kjo do të thotë se nga taksat e qytetarëve do të shkojnë mijëra euro për udhëtime të administratës.