Marjo Sinani, i arrestuar nga policia e Sarandes si autor i djegies së zyrës së noterit Aleko Anagnosti, ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë duke rrëfyer përpara hetuesve emrin e personit që porositi dhe e pagoi për “punën” që do bënte.
Marjo Sinani u arrestua mëngjesin e 7 qershorit dhe në cilësinë e provës materiale, atij i janë sekuestruar veshmbathje dhe sasi benzine që dyshohet se janë përdorur nga 41-vjeçari për djegien e zyrës së noterit të arrestuar për tjetërsim pronash.
Policia nuk ka patur asnjë dyshim se Marjo Sinani është paguar nga persona të tjerë për të djegur zyrën e noterit dhe policia e ka marrë në pyetje për zbardhjen e personave që mund ta kenë paguar.
Dyshime ka patur edhe për porositësin e kesaj ngjarje dhe paralelisht për sigurimin e provave për Marjo Sinanin, forcat blu kanë siguruar dhe prova per porositësin e saj.
Mbi bazën e këtyre provave te siguruara nga policia, Marjo Sinani kur është gjendur para hetuesve, nuk i ka mbetur tjetër vec të zbërthehet para grupit hetimor dhe ka pranuar të bashkëpunojë në lidhje me këtë hetim.
Sipas burimeve ende nuk është arrestuar porositësi, por është identifikuar dhe që prej mbrëmjes së djeshme ka nisur puna për kapjen e tij.
Djegia e zyrës noteriale erdhi 5 ditë pas arrestimit të Anagnostit, i cili është në arrest me burg për 45 ditë derisa prokuroria të çojë prova të tjera në gjykatë për tjetërsimin e pronave në Sarandë. Pasi dokumentet u dogjën, prokuroria mori vendimin që ta vinte në sekuestro zyrën e Anagnostit, ku policia u urdhërua që të ekzekutojë vendimin.
Në skemën e tjetërsimit të pronave janë të përfshirë edhe zyrtarë e biznesmenë të tjerë.