Partia Demokratike mblodhi sot grupin parlamentar. Në fjalën e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u bëri thirrje deputetëve, drejtuesve dhe anëtarëve të PD-së për mobilizim të plotë në protesta kundër qeverisë, duke e cilësuar protestën si një detyrim madhor të opozitës.
Berisha theksoi se opozita nuk duhet të tërhiqet nga protestat, pavarësisht vështirësive dhe sakrificave që ato kërkojnë. Ai tha se Partia Demokratike nuk mund të bëhet dekor i qeverisë, por duhet të vijojë qëndresën kundër saj.
“Protestat janë të lodhshme, protestat kërkojnë sakrifica, por në narkodiktaturë, në një vend ku për regjimin nuk ekzistojnë ligje dhe Kushtetutë, opozita duhet të jetë në këmbë dhe në protestë. Në kushtet e një rreziku ekzistencial të vërtetë, ne do reagojmë në mënyrë të pandryshueshme me protesta sa më të fuqishme kundër këtij regjimi, i cili përdor dhjetëra dhe qindra milionë për të shuar zërin tonë, për të shuar zërin e popullit opozitar”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe tek protesta e parlajmëruar më 28 nëntor. Ai kërkoi pjesëmarrje masive nga demokratët dhe qytetarët nga të gjitha trevat e vendit.
Berisha e cilësoi këtë datë jo vetëm si një ditë feste kombëtare, por edhe si një ditë kushtrimi, duke bërë thirrje për organizimin e protestës më të fuqishme qytetare dhe rinore në nderim të flamurit kombëtar.
“Ne duhet të mobilizohemi, të angazhohemi dhe ne nga protesta s’heqim dorë kurrë. Por ne ftojmë të gjitha forcat politike me të cilat mund të kemi kundërshti nga më të mëdhatë, por asnjë prej tyre nuk janë rrezik ekzistencial. Të bashkohemi kundër këtij rreziku ekzistencial dhe pastaj të votojnë shqiptarët të lirë për cilindo duan.
“28 Nëntori është ditë feste, por është ditë kushtrimi. Shqiptarët, demokratet nga të katër anët e Shqipërisë të bashkohen me protestën më të fuqishme qytetare rinore për të nderuar flamurin kundër këtyre faqezinjve me 100 flamuj, që vetëm flamur kombëtar nuk kanë, që kanë llogaritë bankare dhe xhepat e tyre për flamuj”, tha ai.




