Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin në qendër të Orikumit. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën 63-vjeçari Xhevair Xhelili, i cili udhëtonte në njërin prej automjeteve.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe disa persona, të cilët janë transportuar në ambientet e Spitalit të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore. Mësohet se në automjetin tjetër udhëtonin disa punëtorë të huaj, të cilët po shkonin drejt zonës bregdetare të Vlorës për të punuar.
Ndërkohë, trupi i pajetë i 63-vjeçarit është transportuar në morgun e spitalit.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e përplasjes.




