Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm ka mbajtur një konferencë për shtyp së bashku me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, lidhur me protestat e dhunshme që kanë përfshirë vendin prej më shumë se një jave.
Ai theksoi se problemi nuk janë studentët dhe qytetarët që protestojnë, por ata që përdorin dhunën.
“Ky institucion (ministria e Arsimit) është bërë objekti i sulmit dhe në fakt i një agresioni të vërtetë me gurë të shkulur nga trotuaret e ‘Rrugës së Durrësit’ dhe është vendosur në qendër të vëmendjes”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se, përmes episodeve të dhunshme, synohet të krijohet përshtypja se protesta lidhet vetëm me çështjet e arsimit dhe kërkesat e studentëve. Sipas tij, në protestë ka grupe të ndryshme njerëzish, mes tyre edhe studentë me pikëpamje të ekstremizuara.
“Ky institucion është bërë objekti i sulmit dhe në fakt i një agresioni të vërtetë me gurë të shkulur nga trotuaret e ‘Rrugës së Durrësit” dhe është vendosur në qendër të vëmendjes. Për të kamufluar çka në të vërtetë është në burimin e helmuar të kësaj proteste, për të krijuar idenë se kjo është protestë për arsimimin, e studentëve dhe për të justifikuar të gjithë këtë valë dhune, ka të bëjë me një grup njerëzish, ku ka nga të gjithë. Ka edhe studentë, të cilët janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre. Problemi nuk janë dhe nuk do jenë studentët dhe qytetarët që ushtrojnë të drejtën e protestës. Këtu flasim për ushtrimin e dhunës”, theksoi Rama.
Protestat në Tiranë janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, sulme ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private. Tubimet, të nisura me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim, janë ndërthurur me pakënaqësi më të gjera ndaj qeverisë dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.
Gjatë ditëve të fundit, përshkallëzimi i situatës është shoqëruar me përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga policia.




