Gjimnazi i Gjirokastrës – djepi i Universitetit ”Eqerem Çabej”

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Vasil Muka

55 vjet më parë, në vitin 1971 u çel Instituti i Lartë Pedagogjik, në Gjirokastër me dy degë: Matematikë – Fizikë dhe Histori – Gjeografi.
Gjimnazi u bë shtrati e djepi i Institutit me ambiente, pedagogë e studentë. Në vitin 1971 mësimet zhvilloheshin në katin e dytë të gjimnazit e studentët e parë, shumica gjimnazistë, nuk e dallonin lehtë ndryshimin e statusit nga nxënës në studentë. Po ato ambiente, po ata mësues tash pedagogë, po ata shokë e shoqe.

Në krye e drejtim të Institutit i pari, Ai, kontribuesi i shquar i arsimit, drejtues me vizion e largpamësi, Muzafer Asllani. Ashtu i qetë, i thjeshtë, i qeshur e babaxhan sfidoi kohën e stigmën e kohës e ja doli me sukses. Ishin kushte të vështira infrastrukture, e aq më keq kur u transferuan në shkollën Industriale, në periferi të qytetit. Po Ai ia doli, drejtoi dy departamente atë të Matematikë – Fizikës e të Histori – Gjeografisë.

Pasuesi i Tij, Prof. Dr. anëtari i Akademisë së Shkencave, Vasil Bilushi, shkencëtari, studiuar në B.S, i cili stafetën e z. Asllani e ngriti në lartësitë e shkencës e të mësimdhënies me sukses e vizion shkencëtari. Tashmë Instituti filloi të kompletohet dhe me degë të tjera.
Pasuesi i Tij, Banush Mezini, mësues i ri i gjimnazit me vullnet e pikësynime të larta, ngjiti shkallët e karrierës akademike me titullin Profesor Dr. si dhe ato administrative duke u bërë Rektor. Tashmë Instituti kish marrë statusin e Universitetit dhe u plotësua me degë të reja.

I treti Rektor, Profesor dr. Kristaq Kikina, vinte si matematicien i gjimnazit, e bëri karierë akademike e administrative të gjatë, në një Universitet me shumë degë e kapacitete të plota.
Rektorët tanë, patën në krah mësuesit më të mirë të Gjimnazit, ata me përvojë e të rinjtë në Katedrën e matematikës: Luiz Çene, Mite Guga, Minella Haxhiu, Kosta Makariadhi, Vasil Bakuli, Vasil Minga, Jorgo Mandili, Stefan Qurkun e Vajo Kuko, e më pas Luan Hoxha e Hulusi Kokalari, Petrit Aliko e më pas ish nxënësit e gjimnazit Kostaq Hila e Isidor Kokalari, Luljeta Kikino e Anthi Koça me tituj e grada shkencore e administrative ( Shefa departamentesh e dekanë)

Në Katedrën e Histori – Gjegrafisë me Banush Mezinin, Sedat Kalen e Niko Rogon me më të vonshmit Elvira Shapllo e Kosta Gaxhionin , Zisi Çabeliun e Foto Xhain e me më të vonshmit në Departamentin e pedagogji- psikologjisë ish gjimnazistat Agim Çela e Vasil Muka, krahas pedagogëve me emër e grada Viktor Terpo e Qiriako Hila që vinin nga Kabineti pedagogjk e Seksioni i Arsimit.
Ata dhjetra djem e vajza që përfunduan këtë Universitet, punuan e drejtuan me devotshmëri e profesionalizëm në të katër anët e Shqipërisë, me krenarinë e emrit ”Eqerem Çabej”.

Nderim e respekt, mirënjohje e falënderim gjeneratave të para të pedagogëve e studentëve ish gjimnazista.

Gëzuar 55 vjetorin, Univeristeti Ynë, vatra e dijes dhe shkencës, e energjive rinore e zhvillimit të qytetit tonë!

Share This Article