Futboll, ”Luftëtari” shpartallon ”Maliqin” 6-1, ja kush i shënoi golat…

Jugulajm.net
2 Min Read

Ekipi i futbollit te Gjirokastres ”Luftëtari” ka regjistruar një fitore të thellë në javën e tretë të Kategorisë së Dytë në Grupi B, duke mposhtur ”Maliqin” me rezultatin 6-1 në shtëpi.

Bluzinjtë shfrytëzuan epërsinë numerike dhe e kthyen përballjen në një festival golash për tifozët gjirokastritë.

Ndeshja mori një kthesë të rëndësishme që në minutën e 7-të, kur ”Maliqi” mbeti me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të portierit Jagri.

Vendasit e konkretizuan avantazhin numerik në minutën e 29-të kur Beji zhbllokoi shifrat.

Vetëm pesë minuta më vonë Diamanti dyfishoi rezultatin pas asistit të Zanit, ndërsa në minutën e 37-të Dulaj realizoi golin e tretë, i shërbyer nga Vasili.

”Maliqi” reagoi në fundin e pjesës së parë duke ngushtuar diferencën me mbrojtësin Lipo, i cili shndërroi në gol një penallti në minutën 45+2, ndërsa kuadrat shkuan kështu në pushim me rezultatin 3-1.

Në pjesën e dytë ”Luftëtari” vijoi të shënonte dhe ishte Culli, që realizoi golin e katërt në minutën e 57-të, ndërsa Zani u bë protagonist me një dopietë duke gjetur rrjetën në minutat 64-të dhe 86-të, duke vulosur fitoren përfundimtare 6-1.

Luftëtari-Maliqi 6-1

Golat:Beji 29′, Diamanti 34′, Dulaj 37′, Culli 57′, Zani 64′,86′/ Lipo 45+2′(11-m).

Ky sukses e çon ”Luftëtarin” në kuotën e gjashtë pikëve dhe në vendin e dytë të renditjes me një ndeshje më pak se rivalët e grupit.

Për bluzinjtë takimi i radhës do të jetë në transfertë ndaj ”Tomorit” më 18 tetor në orën 15:00.

Share This Article