EMRI-FOTO/ Greqi, ndërron jetë shqiptari i 2-të, u plagos nga shpërthimi në rafinerinë “Motor Oil”

Jugulajm.net
1 Min Read

Ka shkuar në dy numri i viktimave nga aksidenti në punë në rafinerinë “Motor Oil”, në Agioi Theodoroi të Greqisë.

Sipas portalit grek thriassio.gr, pak para orës 13:00 të së dielës ndërroi jetë edhe 50-vjeçari Dorian Hysa, i cili kishte mbetur i plagosur rëndë.

Hysa ndodhej i intubuar në gjendje jashtëzakonisht kritike në Spitalin e Përgjithshëm “Thriasio”, në Elefsinë, pasi kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Më 9 tetor kishte ndërruar jetë edhe punëtori tjetër, 43-vjeçari me origjinë shqiptare Robert Cakaj. Ai ishte dërguar në Njësinë e Djegieve të të njëjtit spital, me plagë të shumta.

Ndërkohë, autoritetet greke po hetojnë rrethanat e aksidentit dhe zbatimin e masave të sigurisë gjatë punimeve të mirëmbajtjes në rafineri.

Sipas raportimit, policia ka kryer edhe tre arrestime të reja të drejtuesve të “Motor Oil”, të përfshirë drejtpërdrejt në mbikëqyrjen e punimeve. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë për ngjarjen që u mori jetën dy punëtorëve.

Share This Article