Drejtori Hita dhe Ministri Demo takim me strukturat në Shkodër: Rritja e forcës parandaluese, goditja e paligjshmërive dhe etika në komunikim

Jugulajm.net
3 Min Read

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, gjatë takimit me strukturat e Policisë së Shkodrës, ku mori pjesë Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, vuri theksin te rritja e forcës parandaluese, goditja e paligjshmërive në qark dhe etika në komunikim.

Drejtori falënderoi Ministrin për mbështetjen, vlerësoi punën e strukturave dhe kërkoi prej tyre forcim të mëtejshëm të forcës parandaluese dhe goditëse, për goditjen e grupeve kriminale, kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë dhe/ose lëndë narkotike, si dhe kapjen e shtetasve që merren me trafikimin e emigrantëve të paligjshëm.

Drejtori Hita:

“Krimet e rënda, plagosjet dhe vjedhjet me dhunë janë pothuajse 50% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht kësaj statistike, krimet kundër personit, kryesisht ato të mbartura nga vitet e kaluara, janë probleme që kërkojnë angazhim maksimal dhe profesionalizëm. Në këtë kuadër, besoj se, në zbatim të porosisë që ju kam lënë, po vijoni me studimin e të gjitha dosjeve të vjetra dhe me analizën e vrasjeve të së kaluarës.”

Në vijim, Drejtori i kushtoi vëmendje të veçantë luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe theksoi se ka kërkuar ndryshim të qasjes, drejt goditjes në burim, te organizatorët dhe financuesit, dhe jo te reagimi i vonuar që mjaftohet vetëm me asgjësimin e bimëve.

Si dëshmi të kësaj qasjeje kryesisht parandaluese, Drejtori theksoi se gjatë këtij viti rreth 122 000 fidanë janë asgjësuar pa u hedhur në tokë për kultivim, krahasuar me rreth 8500 fidanë në të njëjtën fazë, të asgjësuar vitin e kaluar.

Më tej, gjatë takimit, Drejtori shprehu se siguria në shkolla mbetet një detyrim i panegociueshëm, përmes masave të shumëfishta për sigurinë e nxënësve, si siguria rrugore, siguria ushqimore, siguria kibernetike dhe goditja e çdo tentative për shitje lëndësh narkotike në perimetrin e shkollave.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi standard të lartë etike dhe profesionalizmi nga punonjësit e Policisë, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve.

Drejtori Hita:

“Shkodra është qark që frekuentohet nga shumë vizitorë e turistë dhe kjo kërkon më shumë etikë e angazhim.

Ne jemi këtu për t’u shërbyer qytetarëve, për të zbatuar ligjin dhe për të goditur këdo që e shkel atë, pa dallim.

Kjo është detyra dhe përgjegjësia jonë.”

Në përmbyllje të takimit, një punonjës i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe një punonjëse e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër u vlerësuan nga Drejtori i Përgjithshëm me certifikata “Për shërbime të dalluara”, të cilat iu dorëzuan në prani të Ministrit të Punëve të Brendshme.

Share This Article