Drejtori Hita vlerëson efektivët e Fierit, për shpëtimin e gruas që u mor peng, si dhe kapjen e autorëve të 2 vrasjeve

Jugulajm.net
3 Min Read

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vlerësuar punën e efektivëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier për reagimin në disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale të ndodhura së fundmi.

Gjatë një takimi me drejtues dhe punonjës të DVP Fier, Hita u ndal veçanërisht te operacioni për shpëtimin e një vajze, e cila ishte marrë peng nga ish-i dashuri i saj pasi ky i fundit kishte vrarë prindërit e saj.

Për mënyrën se si menaxhoi situatën dhe kontribuoi në shpëtimin e vajzës, ish-shefi i Stacionit të Policisë Roskovec, komisari Mariglen Koroveshaj, u vlerësua me gradën policore “Kryekomisar”. Pas këtij vlerësimi, Koroveshaj do të vijojë detyrën në strukturat e DVP Berat.

Hita e cilësoi ndërhyrjen e tij si një shembull të profesionalizmit dhe guximit në një situatë ku çdo veprim mund të kishte pasoja për jetën e pengmarrëses.

“E mora këtë vendim pa asnjë hezitim, sepse edhe Marigleni veproi pa hezitim për t’i shpëtuar jetën një vajze”, u shpreh Hita, duke vënë në dukje se polici arriti të vendoste komunikim me autorin, të negocionte dhe të menaxhonte situatën deri në shpëtimin e vajzës.

Në takim u vlerësua edhe puna e policisë për zbardhjen dhe kapjen e autorëve të dy ngjarjeve të rënda kriminale: vrasjes së 20-vjeçarit portugez në Ksamil dhe vrasjes së një gruaje në Lushnjë, ku mbeti i plagosur edhe bashkëshorti i saj.

Në rastin e Ksamilit, autori u lokalizua dhe u arrestua teksa tentonte të largohej i fshehur në bagazhin e një automjeti. Ndërsa në Lushnjë, policia arriti të kapte autorin e dyshuar për vrasjen e nënës dhe plagosjen e babait të tij.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm, rezultatet e këtyre operacioneve janë arritur falë bashkëpunimit mes strukturave dhe veçanërisht punës së Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

“Këto reagime le të shërbejnë si model për mënyrën se si duhet të veprojnë çdo ditë punonjësit e Policisë, të cilët duhet të jenë gjithmonë aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ta”, deklaroi Hita.

Në shenjë vlerësimi për angazhimin e tyre, me propozim të Drejtorit Vendor të Policisë Fier, efektivët e përfshirë në këto operacione do të shpërblehen me nga një pagë mujore.

Hita theksoi se prioriteti i Policisë së Shtetit duhet të mbetet reagimi profesional dhe i menjëhershëm për mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve.

Share This Article