Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në një deklaratë për mediet tha sot se 71 punonjës të policisë kanë mbetur të plagosur gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.
Në fjalën e tij, Hita tha se “pas maskave që udhëheqësin protestën nuk janë studentë, por individë të rekrutuar për qëllime të errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda dhe jashtë vendit”.
Sipas tij “nga të gjithë të ndaluarit natën e parë, asnjë nga personat nuk rezultoi student. Ndërsa në natën e dytë, një numër shumë i vogël ishin studentë”.
“Për këdo që mendon se mund të imponojë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i qartë dhe i prerë: Policia nuk tërhiqet! Institucionet dhe qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me përpikëri dhe pa asnjë përjashtim”, nënvizoi kreu i Policisë së Shtetit.




