Një shtetas italian është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi ka vjedhur një automjet tip “Audi Q5” dhe është përpjekur t’u largohet forcave të rendit.
Ngjarja ka nisur në një rrugë dytësore, ku pronari i automjetit kishte zbritur për pak çaste, duke e lënë makinën të ndezur. Sipas policisë, i dyshuari ka përfituar nga momenti, është futur në automjet dhe është larguar me shpejtësi.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për vjedhjen, shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të tij, ndërsa ndjekja është zhvendosur në zonën e Astirit. Gjatë tentativës për t’iu shpëtuar efektivëve, shtetasi italian ka kryer disa manovra të rrezikshme, duke humbur kontrollin dhe duke u përplasur me disa automjete.
Gjatë incidentit ka mbetur i lënduar edhe një punonjës policie. Fatmirësisht, dëmtimet e tij nuk kanë qenë të rënda.
Pas ndjekjes, efektivët kanë mundur të bllokojnë automjetin dhe të arrestojnë të dyshuarin. Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve të kryera, policia ka konstatuar se shtetasi italian dyshohet se drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Materialet procedurale lidhur me rastin i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme.




