Shqipëria ka siguruar dy medaljet e para në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, që po zhvillohen në Itali. Protagonistë janë dy mundësit kuqezinj, Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev, të cilët kanë arritur të kualifikohen në finalet e kategorive të tyre.
Të dy sportistët do të garojnë të hënën për medaljen e artë, duke i dhënë Shqipërisë një mundësi të artë për të shtuar koleksionin e medaljeve.
Në kategorinë deri në 65 kilogramë në stilin e lirë, Zelimkhan Abakarov e nisi garën me një fitore 3-0 ndaj egjiptianit Shehabeldin Eman.
Në gjysmëfinale, mundësi shqiptar u përball me sirianin Ahmad Dirki dhe triumfoi 6-2, duke siguruar vendin në finale.
Abakarov do të rikthehet në tapet të hënën pasdite, ku do të luftojë për medaljen e artë.
Edhe Islam Dudaev ka bërë një paraqitje bindëse në kategorinë deri në 74 kilogramë.
Në sfidën e parë, mundësi kuqezi mposhti kosovarin Egzon Xhoni me rezultatin 11-2, ndërsa në çerekfinale fitoi bindshëm 10-0 ndaj grekut Georgios Ioakeimidis.
Në gjysmëfinale, Dudaev u përball me spanjollin Mohammad Mottaghinia dhe fitoi 3-1, duke siguruar kështu një tjetër finale për Shqipërinë.
Finalet e të dyja kategorive do të zhvillohen të hënën, ku Abakarov dhe Dudaev do të synojnë të ngjiten në shkallën më të lartë të podiumit dhe t’i dhurojnë Shqipërisë medaljet e arta në “Taranto 2026”.




