Detaje të reja janë zbardhur nga ekspertiza për aksidentin tragjik të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Durrës, ku humbën jetën çifti i sapomartuar Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli, si dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.
Sipas konkluzioneve paraprake të ekspertëve, automjeti tip BMW po lëvizte me një shpejtësi prej rreth 114 km/orë në momentet para përplasjes.
Nga rindërtimi i dinamikës së aksidentit rezulton se drejtuesi ka humbur kontrollin e automjetit gjatë marrjes së një kthese. Fillimisht, goma e përparme në krahun e pasagjerit ka goditur bordurën, duke bërë që automjeti të humbiste më tej stabilitetin.
Pas përplasjes, makina është përmbysur dhe më pas ka rrëshqitur për rreth 40 metra, deri në momentin kur ka ndaluar.
Një tjetër element i rëndësishëm i ekspertizës lidhet me gjendjen e drejtuesit të automjetit. Analizat toksikologjike kanë konfirmuar se ai kishte konsumuar alkool në momentin e aksidentit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:22 në një rrugë dytësore në Manzë. Në automjet ndodheshin pesë të rinj, ndërsa përplasja e fortë me një strukturë betoni shkaktoi viktima dhe të plagosur.
Ndërkohë, dy prej të rinjve që ndodheshin në automjet vijojnë të marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë.




