Nga Fejzo Subashi
Ndarja territoriale nuk është ndarje administrative, ndaj duhet të bëjmë një dallim të qartë ndërmjet reformës territoriale dhe ndarjes administrative të vendit. Janë dy koncepte të ndryshme, me parime, qëllime dhe objektiva të ndryshëm. Fatkeqësisht, në Shqipëri këto shpesh janë trajtuar si e njëjta gjë. Ky dallim nuk duhet të jetë vetëm një debat i qytetarëve, banorëve, pushtetarëve apo administratorëve.
Ai duhet të bëhet nga institucioni që përfaqëson sovranitetin e popullit: Parlamenti. Madje, forma më legjitime do të ishte që një reformë e tillë të miratohej përmes referendumit, sepse prek organizimin afatgjatë të shtetit dhe të territorit të tij. Kur këtë proces e udhëheq vetëm ekzekutivi, rrezikojmë të mos kemi reformë territoriale, por thjesht një riorganizim administrativ. Kjo nuk është e njëjta gjë.
Ndarja territoriale ka parime të tjera. Ajo nuk fillon me pyetjen: “Sa banorë jetojnë sot në një zonë?” Ajo fillon me pyetjen: “Cila është historia, identiteti, pozicioni gjeografik, kufijtë natyrorë, burimet, potencialet dhe vlerat e këtij territori?”
Vetëm pasi të përcaktohet ndarja territoriale mbi këto parime, mund të ndërtohet ndarja administrative dhe mënyra e administrimit të saj.
Nëse bëjmë të kundërtën, pra fillimisht organizojmë administratën dhe më pas përshtatim territorin sipas saj, atëherë nuk po ndërtojmë shtetin. Thjesht po sistemojmë administratën dhe po menaxhojmë fondet publike sipas interesave të momentit.
Një territor nuk matet vetëm me numrin e banorëve. Ai matet me historinë, identitetin, burimet natyrore, vlerat kombëtare dhe rolin që ka në zhvillimin e vendit. Nëse ndarjen e bazojmë vetëm mbi popullsinë aktuale, nuk kemi bërë një zgjidhje; kemi gjetur vetëm një mënyrë për ta zbrazur edhe më shumë atë krahinë.
Nëse, përkundrazi, ndërtojmë një ndarje territoriale që synon zhvillimin e çdo pjese të Shqipërisë, atëherë do të jetë shumë më e lehtë të krijojmë kushtet që njerëzit të rikthehen dhe të popullojnë zonat e braktisura.
Në shumë vende të botës ekzistojnë komuna me shumë pak banorë, madje edhe me disa dhjetëra, sepse ato mbrojnë histori, identitet dhe vlera kombëtare.
Shteti nuk i zhduk ato për arsye ekonomike; përkundrazi, i ruan si pjesë të trashëgimisë së tij. Parimi modern nuk është ta çosh qytetarin te shërbimi, por ta afrohesh shërbimin te qytetari. Nëse një reformë ia vështirëson jetën qytetarit, ai do të zgjedhë rrugën më të lehtë: do të largohet drejt vendeve ku shërbimet janë më pranë dhe jeta është më e lehtë.
Kështu, një reformë e menduar vetëm me logjikë financiare përfundon duke prodhuar më shumë zbrazje të territorit. Nëse synimi ynë është funksionaliteti i të gjithë territorit të Shqipërisë, në përputhje me Kushtetutën dhe me interesin kombëtar, atëherë duhet një ndarje territoriale e ndërtuar mbi parime shtetformuese. Nëse synimi është vetëm të kursejmë para duke zvogëluar administratën, atëherë nuk po merremi me territorin e Shqipërisë, por vetëm me bilancin e buxhetit.
Territori është pasuria më e madhe e një shteti.
Administrata është vetëm mjeti për ta shërbyer atë. Prandaj, administrata duhet t’i përshtatet territorit dhe qytetarit, jo territori administratës..Territori nuk është barrë për shtetin. Territori është vetë shteti. Administrata është krijuar për t’i shërbyer territorit dhe qytetarit, jo për t’i nënshtruar ata logjikës së administrimit.




