Letër e hapur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama
Nga Fejzo Subashi
I nderuar Zoti Kryeministër,
Të jesh Kryeministër nuk është vetëm posti më i lartë ekzekutiv i vendit. Është mbi të gjitha një obligim ndaj qytetarëve dhe një përgjegjësi që buron nga besimi i shumicës. Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe kur qytetarët ta përsërisin besimin katër herë radhazi. Ky besim nuk mund të justifikohet me dobësinë e kundërshtarit politik dhe as me idenë se je “më i miri mes të këqijve”. Një mandat fitohet me votë, por mbahet me qeverisje.
Askush nuk pret që Kryeministri të bëjë gjithçka vetë. Për këtë ekzistojnë ministrat, institucionet dhe administrata publike. Pikërisht administrata është fytyra e qeverisë. Ajo është institucioni që qytetari prek çdo ditë. Kur administrata dështon, qytetari nuk fajëson drejtorin, specialistin apo ministrin. Ai thotë thjesht: “Fajin e ka Kryeministri.” Madje, shpesh edhe padrejtësisht, çdo abuzim apo vjedhje ia faturon Kryeministrit. Reflektimi juaj i djeshëm, për mua, nuk ishte justifikim dhe as shmangie përgjegjësie. Ishte vendosja e gishtit mbi plagën. Unë nuk jam as Jezusi, as Krishti dhe as një katundar i thjeshtë. Jam një qytetar dhe një zë që prej vitesh ka shprehur publikisht shqetësimet e tij. Kur morët për herë të parë detyrën e Kryeministrit, ju drejtova një letër publike. Nuk e di nëse e lexuat ndonjëherë, por në të bëra vetëm një kërkesë:
“Ministrat zgjidhini si të doni, por drejtorët vendosini nga më të mirët, më profesionistët, më të ndershmit dhe më të përgjegjshmit.” Ju ndoqët një rrugë tjetër. Ndoshta ashtu e gjykuat të drejtë, ndoshta ashtu e kërkonin interesat e momentit. Sot, pas kaq vitesh, duket se edhe vetë e keni kuptuar se administrata mbetet plaga më e madhe e shtetit. Nuk ka rëndësi që këtë e kam thënë unë vite më parë. Rëndësi ka që reflektimi të mos mbetet vetëm reflektim. Administrata fillon nga pastruesi i një zyre dhe përfundon te drejtuesi më i lartë i shtetit. Nëse kjo hallkë nuk funksionon mbi profesionalizmin dhe meritën, as ndryshimi i qeverive dhe as rotacioni politik nuk do ta ndryshojnë realisht Shqipërinë. Sot keni një mundësi të madhe.
Vendosni njeriun e duhur në vendin e duhur. Jepuni drejtimin institucioneve atyre që dinë të punojnë dhe të zgjidhin hallet e qytetarëve, jo atyre që i detyrohen partisë, apo që janë mjeshtër të prapaskenave dhe intrigave. Nuk kam arritur kurrë ta kuptoj se si i njëjti individ lëviz nga një drejtori në tjetrën, pa qenë specialist i asnjërës fushë. Duket sikur disa njerëz nuk kanë lindur për të ushtruar një profesion, por kanë lindur vetëm për të qenë drejtorë. Këta drejtues nuk ndërtojnë institucione. Përkundrazi, shtypin profesionistët, u zbehin autoritetin dhe largojnë njerëzit e aftë.
Si mund të drejtojë gjithë jetën një institucion dikush me formim të dyshimtë, ndërsa specialistët me diploma serioze, me grada shkencore, me përvojë dhe specializime mbeten nën urdhrat e tij? Madje dëgjojnë edhe fjalinë fyese: “Ti nuk di. E di unë. Ti nuk ke kontribut politik.” Ky është kanceri i administratës. Natyrisht, nuk i përgjithësoj. Shqipëria ka drejtues të ndershëm dhe shumë të aftë, të cilët kanë fituar respektin dhe zemrat e qytetarëve. Pikërisht ata duhet të jenë modeli.
Nëse dëshironi që të mos zbehet besimi jo vetëm i socialistëve, por i çdo qytetari, çojeni deri në fund reflektimin tuaj.
Jepini administratës zemrën që i mungon. Ndërtoni një administratë profesioniste, të përgjegjshme dhe mbi të gjitha shërbyese ndaj qytetarit që e paguan me taksat e tij. Njëkohësisht, mos harroni plagën tjetër të madhe: drejtësinë.
Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë që çështjet e tyre të mos zgjasin pafundësisht. Le të marrë secili vendimin që meriton, por ta marrë sa është ende gjallë. Është tragjike të vdesësh duke pritur drejtësinë.
Zoti Rama,
Ju keni një fat që pak qeveri e kanë pasur: një popull që kërkon shumë më pak sesa meriton. Kjo nuk duhet parë si dobësi, por si një mundësi historike për të ndërtuar një shtet më të drejtë.
Qytetarët nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë një administratë që t’u shërbejë dhe një drejtësi që të japë drejtësi në kohën e duhur.
Jo gjithçka është në dorën tuaj, por çelësi i shumë zgjidhjeve është ende në dorën tuaj.
Shpresoj që reflektimi i djeshëm të shndërrohet në veprim.
Me respekt,
Fejzo Subashi




