Nëna e 27-vjeçares që u vetëvra në Kamëz, pas shantazheve pas një fotoje intime të publikuar në rrjetet sociale, ka thënë se nëse shteti nuk e dënon, ajo “do ta bëj copa-copa Altin Çokun dhe kufoma do ta dorëzojë në Policinë e Kamzës”.

Në një rrëfim ekskluziv për emisionin “Me zemër të hapur” në News24, nëna e viktimës tha se kërkon drejtësi për vajzën e saj.

“Punova dy ditë aty, më pas gjeta një punë tjetër në Bathore. Goca më tha; meqë ke këtë punën tjetër, po shkoj unë aty. Ditën e parë shkoi me gocën, i dha 20 mijë lekë.

Ditën tjetër shkoi vetëm, dhe nuk i kishte dhënë lekë gocës se do nxirrte gjoja gruan nga spitali. Ditën e dytë i dha një çantë me lodra për mbesën. Më tha; kur të vi do t’i jap lekët. I thashë mos shko më se do të gjejmë një punë tjetër.

Vajza nuk ishte e shqetësuar, ishte e qetë. Ditën e shtunë pasdite nga ora 5 erdhi motra nga puna, dhe po bënte foto me Ambrën. Nuk më tha asnjë reagim se kishte shqetësim.

Dje kam qenë në policinë e Kamzës dhe i kam thënë; nxirreni nga burgu. Ai në tiktok ka thënë se do të dalë se është me arkivol. Nëse shteti nuk bën gjë, me këto duar, do ta bëj copa-copa dhe kufoma do të dorëzohet në Policinë e Kamzës, është betim që i kam dhënë te varri vajzës.

Djalin dhe vajzën nuk e fus, vetë me këto duar. Nëse shteti e nxjerr atë nga burgu se është me kartelë dhe është pa lekë, unë do të marr hak”, tha nëna e 27-vjeçares.

Kujtojmë se një 27-vjeçare i dha fund jetës, duke u vetëhedhur nga tarraca e një pallati në Kamëz pasi i kishin shpërndarë një foto intime në rrjetet sociale. Viktima ishte e martuar në Kosovë dhe kishte dhe një vajzë 2 vjeçe. Martesa ishte në krizë dhe vajza kishte shkuar në familjen e saj në Kamëz.

Gjatë kohës që qëndronte në Kamëz ajo pati një takim intim me Altin Çokun i cili gjatë kohës që ishin në hotel i kishte bërë një foto dhe e kishte publikuar në “Tik-Tok”.