Sajmira Drajçi, vjehrra e 18-vjeçares, Bruna Myzeqari, nga Fier-Shegani i Lushnjës, e cila ndërroi jetë dy ditë më parë në spital pasi u vetëhelmua me fostoksinë, ka publikur dhe mesazhet e fundit që ka shkëmbyer me nusen e djalit.

Përpara mediave, ajo ka deklaruar se nusja i ka dhënë fund jetës për shkak të disa ngarkesave nga shkolla. Në bisedë shihen disa mesazhe të shkëmbyera mes nuse e vjehrrë, të pasuara dhe nga thirrje të humbura.

“Goca ka qenë e ngarkuar në shkollë. Ka ardhur në shtëpi duke qarë. Ka ardhur këtu e ka bërë gjestin. I ka thënë çuni po iki të pi një kafe në lokal, mirë i ka thënë. Kur ka ardhur e ka marrë çunin në telefon i ka thënë hajde se unë piva helmin. Më ka bërë hatanë. Vetë e ka marrë, çuni në sekondë ka ardhur. Kjo ndodhi pasi erdhi nga shkolla. Ka shkuar te nëna e vet i ka thënë nuk jam mirë,”- thotë Drajçi.

Biseda mes tyre me mesazhe:

Vjehrra: Mirëmëngjesi a je mirë?

Nusja: Mirëmëngjes ma…njësoj mezi po rri në këmbë se kam ethe.

Vjehrra: Nga ato…

Nusja: Do shkoj në shkollë dhe do vi

Vjehrra: Mir

Kjo bisedë është pasuar me tentative nga ana e Drajçit për të folur me nusen, e cila nuk është përgjigjur më.

Sipas policisë vajza dyshohet ta ketë kryer këtë veprim në kushte të rënduara psikologjike pas konflikteve të vazhdueshme me të fejuarin e saj 24-vjeçar, Entilo Drajçi, i cili po hetohet në gjendje të lirë.

Dyshja kishin vetëm 25 ditë që ishin martuar dhe bashkëjetonin.