Refuzimi i ndihmës së Shqipërisë nga Greqia për fatkeqësinë me zjarret që ka mbërthyer shtetin fqinj është konfirmuar tashmë edhe nga Ministria e Mbrojtjes.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi shkruan se Shqipëria ka treguar gatishmërinë e menjëhershme pas kërkesës për ndihmë të dërguar nga Greqia në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, por është refuzuar.

“Një ekip me 58 efektivë dhe 10 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera operative të Sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare, më konkretisht, strukturat zjarrfikëse nga Bashkia Korçë, Dropull, Maliq dhe Gjirokastër u dislokuan në afërsi të shtetit fqinj, në ndihmë të kolegëve grekë, në pritje të konfirmimit nga pala greke për ndërhyrje në zonat ku ata kanë nevojë,” shpjegoi Peleshi në postim.

“Ndërkohë, pas kësaj, nga pala greke jemi njoftuar se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore të ofruar nga Shqipëria për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera,” informon ministri.

Sakaq shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave të tragjedisë, ku humbën jetën 18 persona, të dyshuar si emigrantë.