Një zjarr i madh i shpërthyer pasditen e të Dielën në verilindje të Athinës po përparon me ritme të jashtëzakonshme.

Shefi i Federatës së Zjarrfikësve, Nikos Lavranos e cilësoi situatën si “shqetësuese” pasi flakët e zjarrit të favorizuara nga era tashmë kanë dalë jashtë kontrollit duke iu drejtuar banesave, duke djegur shtëpi, biznese dhe shkolla. Rrezja e zjarrit llogaritet  prej më shumë se 30 kilometra.

Mbi 702 zjarrfikës të mbështetur nga vullnetarë, 17 avionë dhe 15 helikopterë zjarrfikës nuk kanë mundur ta venë atë ende nën kontroll. Dy automjete zjarrfikëse janë djegur ndërsa është plagosur një punonjës, ndërsa 65 persona janë shtruar në spital për shkak të probleme me asfiksimin.

Ndërkohë nga Mekanzimi Evropian i Mbrojtjes Civile janë angazhuar për shuarjen e zjarrit dhe forca nga Franca, Italia dhe Çekia.

Autoritetet greke po evakuojnë banorët e zonave pranë vatrave, fshatin Gramatiko, qytezën antike Maraton dhe atë bregdetare Nea Makri.

Greqia është në alarm të kuq deri të Enjten, nga rreziku i lartë i zjarreve në gjithë vendin, teksa i nxehti është në një nivel tepër të lartë deri në 40 gradë Celsius.

Vetëm këtë sezon janë numëruar mbi 2 mijë vatra në gjithë vendin. Me zjarre po përballet edhe Spanja.

Vatra më e madhe gjatë orëve të fundit është ajo në pyjet pranë qytezës së Korbalanit në rajonin e Aragonës, që sërish po ushqehen nga temperaturat e larta dhe erërat e fuqishme, që sipas ekspertëve janë pasojë e ngrohjes globale.