Analisti permetar, Arjan Curri, ka bërë një deklaratë të bujshme mbrëmjen e sotme në emisionin “Top Story”, kur ka thënë se ish-ministri socialist Arben Ahmetaj ndodhet në qytetin e Luganos në Zvicër dhe ka fituar azil.
Curri u shpreh se ish-ministri ka marrë dhe një shtëpi komode në shtetin zviceran të denjë për staturën e tij.
“Arben Ahmetaj ka fituar azil në Lugano të Zvicrës. Ka gjetur dhe një banesë komode për staturën e zotit Ahmetaj. Në Angli ishte pak, ose shumë pak sa për të zhdukur vëmendjen. Organet e drejtësisë të mos bëjnë ping-pong, por të bëjnë punën e tyre”, u shpreh analisti.
Kjo deklaratë e Arjan Currit erdhi pasi ai citoi kryeprokurorin Altin Dumani, i cili gjatë një takimi informal me gazetarët ishte shprehur se nuk e dinte ku ndodhej Arben Ahmetaj.
“Nuk kemi të dhëna konkrete se ku ndodhet Arben Ahmetaj. Është verifikuar dhe e kemi të qartë se kur ka dalë nga Shqipëria. Ka zhvillime të reja dhe surprizuese”, është shprehur sot kryeprokurori i SPAK.
Ish-ministri akuzohet për “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.