Nga Ylli Asllani ish-Kryetar i Bashkisë Gjirokastër
Gazeta “Festivali 2000” që më dërgoi miku im, Stefan Arseni, përveç kënaqësisë së suksesit të një projekti artistik të dikurshëm, më ngjalli trishtim! Për të gjithë mbartësit dhe të apasionuarit e folklorit, po bëhen dy vite që ka ngelur pa përgjigje pyetja: “Pse nuk po organizohet FFK i Gjirokastrës?” Nga festivali i fundit në vitin 2015 kanë kaluar 7 vite dhe askush nuk e vë ujin në zjarr për ngjarjen artistike më të rëndësishme të Kombit, FFK – Një nga thesaret e patjetërsueshme të indetitetit tonë si shqiptarë! E vërteta e anashkalimit të këtij aktiviteti shfaqet e dhimbshme përtej ditirambeve të korit të qeverisë për trashëgiminë tonë etno-kulturore! Trishtimi bëhet edhe më therës kur mendon se Ministrja e Kulturës, Margariti dhe Deputetja e zonës kombëtare, Kumbaro janë bija gjirokastrite… Pas shumë përpjekjesh në vitin e largët 2000, për rikthimin e FFK, në Gjirokastër nuk e kishim menduar se saga e tij ende do të vazhdonte! … Madje me Prof. Vaso Tolen kishim konstatuar se me 54 vitet mbi supe të një festivali folklorik, Gjirokastra rezultonte e vetme në jetëgjatësinë e një eventi të tillë në planin botëror!
Gjë e cila e lejonte qytetin të kërkonte me këtë rast një çmim të dytë nga UNESKO, kuptohet edhe të tjera benefite! Por sikurse thonë hallet e vërteta ndodhin, kur pikërisht ti ëndëron gjëra të bukura… Sjell ndërmend, se dikur në vitin 2000, në projektin për ringritjen e Gjirokastrës e konsideruam rikthimin e FFK në Gjirokastër në të njëjtën rëndësi me përfshirjen e qytetit në UNESKO! Dhe ia dolëm! Madje për të rikthyer FFK i falëm Butrinit me kërkesën e Ministrisë së Kulturës Teatrin Klasik në Natyrë… Koha vërtetoi se ringritja shpirtërore e kulturore, si dhe evidentimi i pasurive monumentale ishin një bazë e sigurt e nxitjes së turizmit e lulëzimit ekonomik të qendrës historike dhe krejt krahinës! Nuk kanë qenë rastësi investimet Fondit Amerikano- Shqiptar dhe Bankës Botërore në Mesin e Pazarit! Pasaporta e UNESKOS dhe ndërkombëtarizimi i FFK nxiti investitorët strategjikë të sensibilizoheshin kaq shumë! Ndofta pa ndërhyrjen e tyre dhe bukuritë e trishta të qytetit do të pulsonin si dritat e anijeve para se të zhdukeshin në thellësitë e oqeanit të harresës…! Atëhere, kur janë provuar vlerat shumëplanëshe të FFK, përsëri nuk më hiqet nga mendja pyetja: “Pse nuk po organizohet FFK i Gjirokastrës?” Aq më tepër që financimi i FFK është e shumta 5 herë më pak se instalacioni kreativ në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë!
Gjirokastrës i është dashur shumë mund, bujari e mençuri në mbijetesën festivalit të saj! Në ditët më të vështira, pranë saj kanë qenë artistët popullorë, studiuesit e pasionuar dhe specialistët ndërkombëtarë të kulturës, mbartësit e folklorit nga mbarë kombi, ndaj të cilëve jemi përherë mirënjohës! Jo pa qëllim, si Kryetar Bashkie në fjalimin e hapjes së FFK 2000 ju drejtova me fjalët: “Mirësevini në qytetin tonë, në qytetin tuaj…” Për më tepër, do të doja të theksoja se impakti i festivalit i kapërcen interesat artistike e turistike! Shqiptarët janë një komb që i mban të bashkuar gjuha, doket, zakonet, folklori dhe etnokultura.. Prandaj, organizimi i FFK ka qenë dhe ngelet jo vetëm shpalosje e vlerave artistike, por dhe objekt studimi e përsosje e kësaj trashëgimie kulturore! Nënçmimi i këtij aktiviteti është një lakmues që evidenton mungesën atdhetare të përgjegjësisë dhe formimit etno-kulturor të çdo drejtuesi shtetëror që pengon zhvillimin e këtij aktiviteti.