Gjashtë ngjarje kriminale janë zbardhur nga policia dhe prokuroria pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka nxjerrë emrat e vrasësve të pagesë që kryer ekzekutime për llogari të gruput të Laert Haxhiut.

Vrasjet kanë ndodhur në Greqi, Elbasan, Korçë, Lushnje dhe Tepelenë.

Vrasja e Artur Breshës në Tepelenë, 4 Dhjetor 2019

Artur Bresha 47 vjeç u ekzekutua me armë mbrëmjen e 4 Dhjetorit 2019 në një kantier ndërtimi në Tepelenë ku ai punonte si roje. Pas vranë 47-vjeçarin, autorët shkuan edhe pranë banesës së viktimës ku gjetën në rrugë vëllain e të ndjerit, një 43-vjeçar, dhe e qëlluan me armë në këmbë duke e lënë të plagosur.

Vrasja e Alban Semakut në Peqin, 17 Tetor 2021

Alban Semaku, i njohur edhe si “kinezi”, u gjet i vrarë me armë më 17 Tetor 2021 pranë Lumit Shkumbin në Peqin.

Ai përdorte edhe emrin Elton Mermali. 38-vjeçari ka qenë anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjes dhe kishte një të shkuar të pasur kriminale.

Në vitin 2006, ky shtetas është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28.08.2003 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës.

Më datë 16.03.2015 është arrestuar në flagrancë, pasi në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnjë, për motive të dobëta, ka kanosur për jetën, me armë zjarri, shtetasin M. T. Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit Alban Semaku, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e tipit “Zastava”, një krehër pistolete me 6 fishekë dhe dy doza heroinë.

Me vendimin e datës 16.11.2015 të Gjykatës së Rrethit Lushnjë është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Kanosja” dhe është liruar nga burgu më datë 06.05.2021, pasi ka vuajtur dënimin në  I.E.V.P Peqin.