Policia ka bërë të ditur se ka arritur të zbardhë ngjarjen e rëndë të Memaliajt, ku një 72-vjeçar është gjetur i vrarë.

Sipas policisë, ai është vrarë me mjete prerës, thikë, ose sëpatë, dhe më pas është hedhur në përrua për të krijuar idenë e një ngjarjeje aksidentale.

Tashmë policia ka bërë të ditur se ka arritur të identifikojë autorin e vrasje, por nuk e bën të ditur identitetin për arsye ruajtjen e sekretit hetimor për arrestimin e tij.

“Veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore në vendngjarje, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor bëjnë të mundur zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të humbjes së jetës së 72-vjeçarit dhe identifikimin e autorit të dyshuar të vrasjes së tij. Me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor dhe kapjen e autorit të dyshuar nuk po bëjmë publike gjenealitetet e tij, deri në momentin e kapjes dhe arrestimit.

Nga veprimet e deritanishme hetimore dhe nga ekspertiza paraprake mjekësore, në trupin e 72-vjeçarit janë konstatuar dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës. Këto dëmtime dyshohet se janë bërë shkak për humbjen e jetës së shtetasit F. A. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente ku dyshohet se mund të fshihet autori. Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, po punon për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Ngjarja u vlerësua maksimalisht nga ana e Policisë dhe u punua me profesionalizëm, angazhim i cili çoi në zbardhjen e ngjarjes.

Të gjitha veprimet në terren janë drejtuar dhe ndjekur nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, së bashku me 2 zëvendësdrejtorët e DVP Gjirokastër, Shefin e Seksionit të Krimeve të Rënda, Shefin e Komisariatit të Policisë Tepelenë, Shefin e Stacionit të Policisë Memaliaj dhe me drejtues të tjerë të DVP Gjirokastër”, njofton policia.