Gjashtë ditë nga vrasja e Erjon Javorit në Fier, policia ka gjetur dhe sekuestruar automjetin, të cilin e kanë përdorur vellezerit Gashi për të kryer krimin.
Me anë të një njoftimi, policia e Fierit thotë se makina ishte fshehur në garazhin e 70-vjeçarit, Rexhep Puka, burri i tezes së autorëve.
Nga këqyrja e këtij automjeti – thotë policia- u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gëzhojë arme zjarri, ndërsa në banesë u gjend një fishek arme zjarri.
Gjithashtu, po në këtë garazh u gjet dhe u sekuestrua edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.
NGJARJA
Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë dhe bën me dije se midis 41-vjeçarit që mbeti i vdekur dhe autorit të dyshuar, Agim Gashi ka pasur një shkëmbim zjarri.
Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se Agim Gashi nuk ndodhje vetëm në automjet, por i shoqëruar nga i vëllai, shtetasi me iniciale K. G., 33 vjeç.
Blutë raportojnë se dy vëllezërit janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në afërsi të automjetin të Javorit u gjet 1 armë zjarri pistoletë me nr trupi të paidentifikuar e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis Agim Gashit dhe Erjon Javorit, për motive të dobëta.
Njoftimi i policise:
Fier/Gjendet dhe sekuestrohet automjeti i përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së 41-vjeçarit, më datë 07.12.2023.
Procedohet penalisht 70-vjeçari që kishte fshehur në garazhin e banesës së tij, këtë automjet.
Sekuestrohen 1 automjet tjetër, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme, që do t’i shërbejnë hetimit.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe punës së pandërprerë për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në datë 7 dhjetor, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi E. J., 41 vjeç, shërbimet e Policisë, me mbështetje të inteligjencës policore, bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit të përdorur nga autorët gjatë ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. P., 70 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në garazhin e mbyllur, u gjet dhe u sekuestrua automjeti tip “Benz”, i përdorur nga shtetasit A. G. dhe K. G., gjatë vrasjes së shtetasit E. J.
Nga këqyrja e këtij automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gezhojë arme zjarri, ndërsa në banesë u gjend një fishek arme zjarri.
Gjithashtu, po në këtë garazh u gjet dhe u sekuestrua edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.
Po gjatë kontrolleve të imtësishme në zonë, në një banesë, të cilin e kishte në ruajtje shtetasi R. P., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensivisht për kapjen e autorëve, shtetasve A. G. dhe K. G., dhe dokumentim e plotë të rrethanave ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit R. P., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.