Ditën e sotme ka dalë para gjykatës së shkallës së parë të rrethit gjyqësor Fier, 39-vjecari Xhuliano Miho.
Miho u paraqit në ambientet e gjykatës nën masa të rrepta sigurie, ndërsa Gjykata mori vendimin për ta lënë atë në burg pa afat.
Miho vrau me thikë 24-vjecarin, Xhimi Baka, pas një konflikti për motive të dobëta.
Miho qëlloi për vdekje tre herë me thikë 24-vjeçarin, i cili nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Ndërkohë avokati i autorit, Niko Bega foli për mediat pas seancës së sotme, ku u shpreh se klienti i tij Xhuliano Miho, është keqtrajtuar disa herë më parë nga viktima, ndërsa më pas thikën e ka pasur 24-vjeçari dhe jo autori.
Sipas avokatit Miho i ka marrë thikën Bakas dhe e ka qëlluar për vdekje.
“Normal që është penduar për atë që ka bërë. Pavarësisht kallëzimeve që ka bërë i arrestuari në Komisiariat 3-4 herë për keqtrajtimet që i ka bërë viktima dhe zënkave të përditshme dhe kanosjeve. Masa e sigurimit u la me arrest në burg pa afat. I pandehuri pretendon që kur ka vajtur tek vendi i ngjarjes, ka takuar fëmijët dhe u ka blerë patatina dhe rroba për të veshur. Ndërkohë ka vajtur viktima janë zënë me grushta me njëri -tjetrin. I arrestuari pretendon se ka marri ai thikën, e ka pasur viktima thikën e ka qëlluar pasi dhe vetë i arrestuari ka pasur shenja në qafë dhe në kokë. Patjetër që është penduar. Po ka një viktimë aty,” u shpreh avokati.
Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë në rrugën “ Ramiz Aranitasi”, ku pas një konflikti për motive të dobëta, Miho qëlloi për vdekje tre herë me thikë 24-vjeçarin, i cili nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Gjatë dëshmisë në Polici, 39-vjeçari, është shprehur se biçaku ka qenë i viktimës dhe ai thjesht është mbrojtur gjatë përplasjes fizike mes tyre.
Shkak për vrasjen e të riut dyshohet se është bërë divorci mes autorit dhe bashkëshortes me të cilën ka dy fëmijë.
Mësohet se gruaja kishte disa muaj që ishte larguar nga banesa dhe bashkëjetonte me 23-vjeçarin.
Ndërkohë autori e ka takuar në rrugë viktimën dhe pas një debati e ka qëlluar tri herë me thikë.