Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që u regjistrua këtë të enjte në Dhërmi, ku 43-vjeçari Gerald Shehu vrau me armë zjarri 31-vjeçarin Eraldo Nevruzi, recepsionist në hotelin “Greccia”.

Një nga koleget e Nevruzit, i cili u vra në vendin e punës ka rrëfyer detaje mbi marrëdhënien e viktimës dhe autorit. Vajza ka treguar në një prononcim për mediat se mbrëmjen e djeshme, 31-vjeçari kishte ardhur më herët në hotel dhe e kishte nisur turnin që në orën 10:30, jo në 11:00 siç kishte orarin.

Ndër të tjera, ajo tha se Eraldo ishte djalë i lëvizur dhe jo i rregullt, por shtoi se me Gerald Shehun, dhëndrin e pronares së hotelit, njëkohësisht dhe autori i dyshuar i krimit kishte një marrëdhënie normale. Sipas saj dyshimet janë se ngjarja ka ndodhur në dhomat e stafit, nga parkingu.

“Eraldi ka filluar punë së fundmi, nuk ka shumë, diku tek 5 ditë. Mua nuk më është dukur djalë i rregullt, ishte i lëvizur. Me Geraldin nuk kam biseduar shumë, nuk jemi ndeshur, më shumë kam pasur të bëj me pronaren. Mua dje në orën 10:30 më ndërroi Eraldi, turnin e mbyllja në 11:00 por ai erdhi më herët.

Unë fle në hotel, por dje në mbrëmje nuk kam dëgjuar gjë, isha në telefon në dhomë, por nuk kam dëgjuar asnjë zhurmë. Mami ishte duke fjetur, unë po rrija në celular.

Në çuditi ngjarja sepse ata nuk kishin asnjë marrëdhënie ndryshe nga të tjerët. Ngjarjen e mora vesh sot në mëngjes, më tha mami ka ardhur policia.

Thonë se ngjarja ka ndodhur në dhomat e stafit, nga parkingu. Kam dhënë deklaratën dhe në polici, aq informacion kisha. Eraldi kishte ardhur këtu dhe kërkoi punë si një njeri që nuk njihte njeri.

Ai kërkoi punë si barist fillimisht dhe i thanë që do presësh sa të nisë bari, sepse nuk e kishin hapur pjesën e pishinës. I sugjeruan të punonte recepsionist. Unë nuk e njihja më parë.” – tha ajo.