Vajza e madhe e familjes së Pëllumb Metës, i vrarë dhe groposur në kasollen e bagëtive nga tre fëmijët e tij në Durrës, ka deklaruar para hetuesve se babai ishte autoritar.
Bedra Meta, e martuar, ka qëndruar me një linjë me deklaratat e pjesëtareve të familjes së saj lidhur me sherret e herëpashershme në familjen e tyre. Që në krye të herës ajo ka deklaruar se nuk ka ditur asgjë për vrasjen e babait nga vëllezërit dhe motra e saj dhe e ka marrë vesh këtë kur ngjarja është bërë publike.
Por ajo ka deklaruar gjithashtu se babai i tyre ka qenë njeri autoritar dhe kërkonte që çdo gjë në familje të bëhej siç thoshte ai. Ajo po qëndron te shtëpia e gjyshërve të saj ku gjendet dhe e ëma, në Gjorm të Laçit.
Ndërkohë lidhur me vazhdimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të vrasjes së Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit, bëhet e ditur se pritet të vijnë rezultatet e ekspertizës balistike nga loboratori shkencor në Tiranë për armën e krimit. Ajo është një pistoletë mod-54 ose siç njihet ndryshe TT.