Naim Murseli, i cili dyshohet për porositjen e vrasjes së gruas së tij, Liridonës Ademajt, është paraqitur para Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku është përcjellë nën masa të rrepta sigurie.
Lajmin për T7 e ka konfirmuar avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku.
Ajo ka thënë se Murseli e ka rrëfyer versionin e vetë të mbrojtjes dhe se “ mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale”.
“Sot para Prokurorisë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda, në cilësinë e të pandehurit është ndëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar është i orientuar në drejtim të veprës penale Vrasje e Rendë në bashkëkryerje nga neni 173 par 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 te KPRK-së.
I pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale.
Me qenë se sot është ndërpre deklarimi i të pandehurit për shkak të mbarimit të orarit dhe deklarimi nuk ka arritur të përfundojë, është caktuar një datë tjetër për vazhdimin e marrjes në pyetje të të pandehurit”, ka thënë Zhinipotoku.
Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë thënë para një jave se për këtë rast janë duke u zhvilluar hetime intensive.
Në këtë fazë, deklarojnë se s’mund të ofrojnë informacione tjera për të ruajtur integritetin e hetimeve.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se ndaj rastit në fjalë janë duke u zhvilluar hetime intensive, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor”, thuhet në përgjigjen e Laureta Ulajt, zëdhënëses së Prokurorisë.
30-vjeçarja me shtetësi suedeze u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Komunës së Prishtinës.
Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona, e cila sipas dosjeve të hetuesisë dhe prokurorisë, dyshohet se ishte inskenuar. Vrasja e saj dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, me të cilin Liridona kishte dy fëmijë.
Vrasjen dyshohet se e ka kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.
Të tre këta janë arrestuar ditën kur u varros Liridona, saktësisht disa orë pas ceremonisë së varrimit.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte, duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.
Ndërkohë, më 9 dhjetor është arrestuar edhe një person tjetër për këtë rast. I dyshuari i katërt është T.D., nga Novosella e Gjakovës. Ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit. Motivi i vrasjes ende nuk dihet.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar para disa javësh se po hetohen disa pista, por ende nuk mund të bëhen publike derisa të ketë një përfundim të qartë mbi motivin e vrasjes.
“Procesi hetimor vazhdon në disa faza. Policia në këtë rast është treguar shumë efikase dhe profesionale. Në afat rekord ka sqaruar vrasjen dhe ka arritur të arrestojë personat e përfshirë në këtë rast. Mbetet të zbulohet për motivin e kësaj vrasjeje. Jemi duke hetuar disa pista, por s’mund të bëj publike asgjë, derisa të kemi të kemi të qartë motivin”, ka thënë Hoxha në Frontal të T7.
Ai kishte thënë se për rastin mund të ketë edhe arrestime tjera.
“Nuk kanë përfunduar arrestimet, kjo varet nga zhvillimet tjera që mund të dalin. S’mund të paragjykoj nëse do të ketë apo s’do të ketë. Mirëpo kjo nuk është e tëra edhe pse është sqaruar pothuajse e gjitha”, ka thënë Hoxha.
I pyetur nëse është kapur nga kamerat e sigurisë momenti i vrasjes së Liridonës, Hoxha kishte thënë se në vendin ku ka ndodhur krimi nuk ka kamera.
“Momenti i vrasjes s’është i fokusuar. Ka qenë një zonë që s’është kapur nga kamerat”, ka thënë tutje ai.