Detaje të reja nga vrasja e Ardian Nikulaj i cili në momentin e ngjarjes po pinte kafenë bashkë me vjehrrin në biznesin e tij, një hotel në zonën e Shëngjinit. Vjehrri i tij, i cili ka parë të gjithë ngjarjen, pasi ka qenë pranë në atë moment, ka zbuluar edhe komunikimin e vetëm mes autorit dhe viktimës.
“Si je Ardian?”, kjo ka qenë fjalia e vetme që ka thënë autori para se të qëllonte ndaj Nikulajt dhe ta linte të vdekur në vend. Dyshimet janë se vrasësi ka dashur të sigurohet se personi që ka vënë në shënjestër është i duhuri. Kjo tregon për një vrasës tërësisht gjakftohtë dhe profesionist.
Në momentin që 51-vjeçari i është përgjigjur, autori qëlloi disa herë ne drejtim tij, duke e lënë të vdekur në vend. Në vendngjarje u gjetën gjashtë gëzhoja, por vetëm dy prej plumbave kanë përfunduar në trupin e viktimës, por që mjaftuan për ta lënë të vdekur. Pas ngjarjes kanë filtruar shpejt pamjet e vrasjes, teksa është parë edhe autori duke u larguar me motor me targa greke.
51-vjeçari Ardian Nikulaj rezulton se ka disa biznese në zonën e Lezhës dhe ka qenë gjithashtu pjesë e politikës në të shkuarën. Aktualisht ai garonte në listën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe më parë ka kandiduar për deputet në Lezhë në listën e PSD-së.