Babai i djalit, Luis Meçja, i cili u plagos gjatë konfliktit, ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani deklaroi se ka qenë i përfshirë dhe një tjetër autor në këtë ngjarje tragjike. Lidhur me këtë ka reaguar policia e Shtetit, ku thekson se nuk ka një autor të dytë të përfshirë në këtë ngjarje.

Policia thotë se është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çështjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L. M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi.

“Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë.

Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon  opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje.

Për të ezauruar çdo pretendim dhe sqaruar çdo detaj në funksion të së vërtetës e të shërbimit deri në fund të drejtësisë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çështjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L. M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi”, thuhet në një njoftim të policisë.