Prokuroria e Durrësit përfundon hetimet dhe dorëzon për gjykim dosjen penale për Hysen, Hygerta dhe Amarildo Metën. Për Hygerta Metën dhe vëllanë Hyseni është ngritur akuza e vrasjes me paramendim, ndërsa për Amarildo Metën vetëm akuzë e asgjësimit të kufomës.

Ngjarja e rëndë, arsyet e së cilës mbeten ende mister, ndodhi më 10 shkurt, por u zbulua nga policia vetëm më 24 shkurt, disa ditë pasi djali i madh i viktimës, Hyseni, denoncoi zhdukjen e të atit.

Hygerta dhe Hysen Meta akuzohen se kanë vrarë të atin, ndërsa dyshohet se në bashkëpunim me vëllain e tyre Amarildon, më pas e groposën në sallën e bagëtive, ku edhe u gjet trupi i pajetë i viktimës.

25-vjeçari Hysen Meta akuzoi të motrën, Hygertën, 19-vjeçare, si autore të krimit duke u shprehur se ishte ajo që e qëlloi për vdekje të atin.

“Kam qenë prezent dhe e kam parë, ishte motra e vogël që e qëlloi. Donte ta fejonte me zor babai”, tha i riu gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar më 26 Shkurt.

Ndërsa, gjatë dëshmisë së dhënë para togave të zeza, Hygerta Meta ka deklaruar se ajo është autore e krimit makabër.