Mbi 30 persona raportohet se kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur në një aksident treni jashtë qytetit të Larisës në Greqi të martën mbrëma. Sipas raportimeve, aksidenti u shkaktua kur një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash jashtë Larisës dhe më pas doli nga shinat.
Aksidenti ka ndodhur pak pas orës 23:00, në Evangelismos, pranë Tempit. Treni kryente linjën Selanik-Larisa dhe që nisur në orën 19:22.
Policia dhe zjarrfikësja kanë shkuar në vendngjarje për të ndihmuar në çlirimin e pasagjerëve. Më konkretisht po punojnë 40 zjarrfikës me 17 mjete.
Raportet e para tregojnë se dhjetëra pasagjerë janë bllokuar dhe plagosur, ndërsa autoritetet druajnë se numri i viktimave mund të rritet.
Forca të forta policore, EMAK-ja e 8-të, Zjarrfikësja e Larisës dhe gjithsej 30 autoambulanca dhe mjekë të EKAV nga Larisa, Volosi dhe Selaniku kanë shkuar në vendngjarje. Me urdhër të Qendrës Kombëtare të Operacioneve Shëndetësore, u hapën urgjencat e Spitalit të Përgjithshëm të Larisës për të pritur të plagosurit.
Në vendngjarje mbërritën edhe autobusët për të marrë pasagjerët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë Thanos Pleuris u nis drejt spitaleve dhe Sekretari i Përgjithshëm i Transporteve, Giannis Xifaras në vendin e aksidentit.
Ministri i Mbrojtjes Civile Christos Stylanidis është në qendër të operacioneve të mbrojtjes civile. Autoritetet në fjalë po mbajnë të informuar kryeministrin grek për zhvillimet në vazhdim.