Një ngjarje e turpshme është shënuar në ndeshjen e moshave U-18, në volejboll mes Skënderbeut dhe Dinamos.
Trajneri i Skënderbeut, Romeo Xega, ka goditur me shpullë një nga volejbollistet e tij, në kohën kur ishte duke dhënë udhëzime për vijimin e lojës.
Pamjet po bëjnë xhiron e medieve, teksa një ngjarje e tillë e shëmtuar është filmuar nga kamerat. Në një moment disavantazhi në fushë, trajneri Xega ka kërkuar një minutë pushim për të dhënë udhëzime, teksa ka goditur me shuplakë një nga vajzat e formacionit.
Vihet re se volejbollistja e goditur nuk reagon, duke u shtangur nga veprimi i trajnerit. Edhe koleget e saj duken të ‘ngrira’, ndërsa një dhunë e tillë nuk ka vend në sportin shqiptar.
Tej adrenalinës në sport, pamje si këto nuk duhet të jenë shembull i një disipline që muajt e fundit ka marrë vëmendje maksimale në Shqipëri.