Policia e Shtetit bën me dije se në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbave”, 7 turistë të huaj, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe shërbimet zjarrfikëse, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse kanë kontrolluar
zonën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në kanionin e Langaricës.

Falë punës së mirorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e 7 turistëve nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar.

Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.

Policia e Gjirokastrës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.