Dhjetra shezlongë dhe çadra janë sekuestruar policia në Himarë dhe Borsh, pasi kishin zënë hapësirat përgjatë vijës bregdetare në mënyrë të paligjshme.

Polica e Himarës bëri të ditur se në bashkëpunim me Policinë Bashkiake ka finalizuar faza e dytë të operacionit “Plazh i Lirë”, ku janë sekuestruar në total 38 çadra dhe 66 shezlongë, që ishin vendosur në mënyrë të paligjshme në Borsh dhe në vendin e quajtur “Maraç”, Himarë.

Paralelisht policia ka proceduar penalisht 3 shtetas që kishin zënë hapësirat publike duke vënë çadrat dhe shezlongët në mënyrë të paligjshme dhe fshihnin të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë vijuar operacionin e nisur gjatë fundjavës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Himarës, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të zënies së hapësirave publike me vendosjen e çadrave dhe shezlongëve në mënyrë të paligjshme. Si rezultat i fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Plazh i lirë”, janë evidentuar 3 raste të kësaj paligjshmërie, 1 rast në Borsh dhe 2 raste në vendin e quajtur Maraç”, Himarë.”- informon polcia.

Sipas saj, në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: A. M., banues në Himarë dhe E. T., banues në Tiranë, pasi kishin vendosur në mënyrë të paligjshme 20 çadra dhe 30 shezlongë, në vendin e quajtur “Maraç”, Himarë; si dhe A. Z., 52 vjeç banues në Borsh, Himarë, pasi kishte vendosur në mënyrë të paligjshme 18 çadra dhe 36 shezlongë, në plazhin e Borshit.

“Materialet proçedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar i paregjistruar”. Operacioni “Plazh i lirë” vijon.”- përfundon njoftimi i policisë.