Rruga Levan – Tepelenë që lidh jugun e vendit me qytetet e fushës së Myzeqesë është një ndër akset me aksidentet më të shumta të regjistruara.
Për shkak se rruga ka në të dy krahët e saj biznese, por edhe përshkon në mes fshatra të ndryshëm, kalimi i banorëve të zonës është i pashmangshëm.
Për këtë arsye mungesa e mbikalimeve është bërë shkak për aksidentet me pasoja fatale.
Ndërtimin e mbikalimeve e kërkojnë edhe banorët e zonës, pasi kjo rrugë përshkruhet edhe nga fëmijët që shkojnë në shkollë.
Nga lart të bëhet si në vendet e tjera me urë ajo është gjëja më e mirë për këmbësorët. Kurse për traktorët duhet të jetë poshtë rrugës me urë.
Ja ku i ke aksidentet dy copë, një më lart tjetri më poshtë kanë ndodhur shumë aksidente”,-tha banori i zonës.
“Këtu është një problematikë e madhe sidomos për të vegjlit dhe për të moshuarit. Këtu kalojnë që shkojnë në shkollë në fshatin Sheq Musalalaj rreth 50- 60 fëmije dhe fshati i ka tokat matanë rrugës. Është problematikë e madhe. Këtu para disa muajsh përplasen 15 dele 3 a 4 u shtypën fare dhe nuk ndaloi shoferi, nuk zbatohet rregullorja. Është frikë duhet të presësh të kalosh. Shteti duhet të vërë dorë, o mbikalim nga lart siç e ka bota se ka disa kryqëzime.”
Ky aks rrugor me një gjatësi prej afro 50 km përdoret edhe nga fermerët e zonës për kalimin e mbetjeve bujqësore në të dyja anët e rrugës. Një problem ky që shpesh herë është bërë shkak për aksidente.