Kandidati për bashkinë i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është arrestuar. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ishte i pranishëm në ambientet e jashtme të komisariatit të Himarës.
Ai e ka e quajtur një ‘sulm të pastër politik’ arrestimin e Fredi Belerit. Dule ka bërë thirrje që të tilla tentative për pengimin e procesit elektoral të ndalen. Sipas tij, Beleri u mor në polici me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“Pas një jave urrejtje, përçarje, lançimi, nga ana e kryeministrit Edi Rama kundër zotit Beleri, me urdhër dhe porosi të tij, forca policore, rrëmbyen në qendër të qytetit, me një skenë të shëmtuar, për në komisariatin e Vlorës, zotin Beljeri dhe avokatin e tij. Është akt i paprecedent dhe i pashpjegueshëm.
Fenomen që ka lidhje vetëm me regjimet totalitare. Bëjmë thirrje për lirimin e tij. Garantimi i procesit zgjedhor dhe i votës, dhe heqja dorë nga intimidimi nga zoti Rama për qytetarët.
Kemi paralajmëruar me deklaratën tonë të pardjeshme dhe dëshirojmë përsëri dhe sot t’u drejtohemi mediave, që të jenë të pranishme që të bëhet procesi transparent.”, tha Dule.