Gjirokastër/Kontrolle intensive të territorit, në kuadër të planeve operacionale kombëtare të koduara “Territor i pastër” dhe “Tempulli”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Vihet në pranga 1 shtetas që kishte kultivuar bimë cannabis sativa, në oborrin e banesës së tij, në lagjen “SMT”, si dhe posedonte 2 kg cannabis sativa, në banesë.

I arrestuari, me precedent të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale kombëtare “Territor i pastër” dhe “Tempulli”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë intensifikuar kontrollet në terren.

Si rezultat i kontrolleve, u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike, në lagjen “SMT”. Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 63 vjeç, banues në lagjen “SMT”, Gjirokastër, pasi dyshohet se ka kultivuar në oborrin e banesës së tij, disa bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilët u asgjësuan nga Policia.

Në vijim të kontrolleve, në banesën e këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.