Banorët e fshatit Mezhgoran, Bashkia Tepelenë, janë hedhur në protestë për të mbrojtur pasuritë ujore që ka ky fshat.
Një ditë më parë ka pasur përleshje mes banorëve të këtij fshati dhe policisë e cila shoqëronte teknikën dhe mjetet e rënda të firmës, që pretendon se do të merret me ndërtimin e linjës së re të ujësjellësit të këtij fshati.
Banorët kanë kundërshtuar forcërisht një ditë më parë fillimin e punimeve, që sipas burimeve nga Bashkia e Tepelenës, kanë të bëjnë me një degë të re të furnizimit me ujë për banorët e këtij fshati, ndërkohë që këta të fundit nuk kanë gjë ankesa për cilësinë e ujit apo dhe volumit të tij. Mirëpo problemi qëndron gjetiu.
Banorët janë interesuar në Bashki dhe ndonëse nuk janë informuar se për çfarë bëhet fjalë, kanë mësuar se e gjithë kjo bëhet për të përcjellë atë ujë të paktë të këtij fshati në drejtim të fshatit për karshi Peshtan.
Ky fshat si i përzgjedhur si një ndër 100 fshatrat turistike në vend, do të përfitojë ujë të pijshëm nga Mezhgorani, sigurisht jo banorët por një investitor strategjik emri i të cilit aludohet nga vetë banorët në fjalë.
Nëse do t’i qëndrojmë variantit të Bashkisë së Tepelenës, se po ndërhyhet për linjë të dytë për ujësjellësin e Mezhgoranit, lindin disa pyetje të cilat banorët nuk kanë marrë kuurrë përgjigje.
Kështu, më kryesorja është nëse është bërë dëgjesë publike. Kryetari i fshatit Mezhgoran mohon të jetë bërë një dëgjesë e tillë, ndërkohë që asnjë banor nuk është njohur se çfarë po bëhet me ujin e fshatit të tyre i cili vjen me pikatore në muajt e verës.
Derimë tani nga Bashkia e Tepelenës nuk ka ndonjë reagim zyrtar për të gjithë çfarë po ndodh në Mezhgoran, ndonëse situata paraqitet e nderë.