Shtohen rastet e dhunës në familje në Qarkun e Gjirokastrës. Vetëm për vitin aktual që po flasim, ka një shtim të lehtë të denoncimit të rasteve të dhunës në familje. Kjo konfirmohet dhe prej statistikave të Policisë Vendore të Qarkut të Gjirokastrës. Por ajo që përbën rast të rrallë në këto muaj të këtij viti, është se për herë të parë kemi një reagim nga meshkujt e dhunuar që guxojnë për të denoncuar rastet e dhunës ndaj tyre prej ish bashkëshorteve. Deri më tani janë disa raste që ish bashkëshortët kanë kërkuar urdhër mbrojtjeje prej Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, pasi janë ndjerë të rrezikuar dhe të ekspozuar ndaj dhunës që kanë ushtruar ish gratë e tyre.

Urdhërat e mbrojtjes janë dhënë menjëherë brenda 24 orëve nga ana e kësaj gjykate për të ndalur në këtë mënyrë dhe ekseset fizike. Kjo në fakt mbron më shumë meshkujt që janë ndjerë të rrezikuar nga furia e grave që sipas psikologes Loreta Mamani, herëpas’here abuzojnë dhe me të drejtat që kanë përfituar nga ligjet në fuqi. Sipas psikologes gjirokastrite, ka rritje të rasteve të dhunës në familje në Qarkun e Gjirokastrës, por vlerësohet që kjo dhunë është përshkallëzuar edhe më por moskallëzimi i kësaj dhune është në nivele të frikshme. Kjo pasi të dhunuarat kryesisht gratë, fëmijët, të moshuarit, gjykojnë që këto eksese familjare, t’i mbajnë të kyçura brenda katër mureve të shtëpisë.

Sipas të dhënave që Jugulajm.net ka siguruar zyrtarisht, bëhet e ditur se prej janarit të këtij viti janë plotësuar 53 kërkesë padi, referuar 21 raste për dhunë në familje, ndërkohë që janë proceduar në gjendje të lirë 12 persona, arrestuar shtatë dhe në kërkim dy të tjerë. Shqetësim ngelet vala në rritje e dhunës brenda në familjet gjirokastrite të cilat në shumicën e rasteve ngelen raste të padenoncuara dhe kjo e ka një spegim si pasojë e kulturës patriakale që mbizotëron në shumicën e familjeve të zonës përreth.